E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet projekti fitues i zgjatimit të Bulevardit dhe rehabilitimit të Lumit të Tiranës

17-05-2012 / Gazeta 55

“Grimshaw Architect” është projekti fitues i Zgjatimit të Bulevardit të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha beson se ky projekt do t’i kthejë Tiranës vlerat e munguara në këto 20 vjet, ndërkohë që do t’i hapet rruga zhvillimit të kryeqytetit për 50 vitet e ardhshme

Grupi strategjik ka vendosur dje, se projekti që përfaqëson më mirë aspiratat e qytetarëve të Tiranës dhe ofron shanse më të mëdha të zhvillimit ekonomik, mirëqenies dhe punësimit është ai i studios arkitekturore britanike “Grimshaw Architects”.
Vendimi për përzgjedhjen e studios erdhi rreth dy muaj pas diskutimesh e konsultimesh me ekspertët më të mirë vendas e të huaj si dhe me qytetarët të cilët patën mundësi të japin mendimet, sugjerimet dhe të bëjnë pyetje për afro një muaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e cilësoi projektin fitues si formëzimin e Tiranës moderne dhe evropiane. Basha tha se ky projekt do t’i kthejë Tiranës vlerat e munguara në këto 20 vjet, ndërsa theksoi se i hapet rruga zhvillimit të kryeqytetit për 50 vitet e ardhshme për sa i përket përmirësimit të cilësisë së jetës, hapësirave të gjelbra dhe kryesisht hapjes së mijëra vendeve të punës.
“Në themel të këtij procesi qëndronte dëshira, vizioni dhe vullneti ynë, për t’i dhënë Tiranës më të mirën, një zhvillim të denjë për një kryeqytet modern dhe evropian, për të implementuar në qytetin ku jetojmë standardet më të mira të arkitekturës, të zhvillimit urban, të cilat do të garantojnë cilësinë e jetës dhe të na bëjnë krenarë për të paktën 50 vitet e ardhshme, për zgjidhjen që i dhamë këtij projekti madhështor, 1/5 së qytetit tonë dhe në fakt të gjithë qytetit tonë dhe kryeqytetit të shqiptarëve. Ky projekt ka një rëndësi akute, të menjëhershme, pasi zbatimi i tij do të thotë ndërtimi i një poli të ri ekonomik, që do të hapë mijëra vende pune, përmirësimin e të gjithë parametrave të cilësisë së jetës, nëpërmjet aksesit të pa imagjinuar të qytetarëve në të mira të tilla si hapësira publike, zona rekreative, parqe të gjelbra dhe rizbulimin nga qytetarët e Tiranës të dy aseteve të fshehura që nga krijimi i qytetit, lumi i Tiranës dhe Parkut të ri të Paskuqanit, përmirësimin e trafikut, krijimin e hapësirave për zhvillim të qëndrueshëm urban, pra vendosjen përfundimtare të Tiranës, në trajektoren e një qyteti modern europian, të denjë për sfidat e shekullit të 21-të”, u shpreh Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se brenda vitit, pritet të përfundojë projekti i detajuar, ndërsa së bashku me institucione të tjera do të fillojë zhvendosjen e shinave të Trenit dhe shtyllave të tensionit të lartë.
“Projekti i Bulevardit është pjesë e rëndësishme, një katalizator i Planit të Përgjithshëm Rregullues që do të shpaloset para qytetarëve të Tiranës ditën e premte, duke bërë që në një hark kohor prej 10 muajsh, ne të arrijmë t’i japim qytetit tonë një plan të qartë zhvillimi dhe zgjidhjen që i ka munguar prej gati 22 vjetësh”, theksoi Basha.
Kryebashkiaku Basha ka shprehur falënderime dhe mirënjohje, në emër të Bashkisë së Tiranës, qytetarëve të Tiranës, grupit strategjik, studios “DAR”, për angazhimin, përkushtimin, profesionalizmin, ambicien si dhe vizionin që shpalosën me projektin e tyre.
“Ndonëse nuk është projekti fitues, jam i sigurt se përvoja e këtij konkursi si dhe kapacitetet e larta të demonstruara në këtë konkurs, ju bëjnë ju një nga studiot e mirëpritura, në punët e shumta publike dhe jo publike që presin qytetin tonë”, u shpreh Kryetari i Bashkisë.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Grimshaw (Neven Sidor) shprehu angazhimin për t’i bërë pjesë të projektit, të gjithë sugjerimet dhe për të vijuar këtë “udhëtim të mrekullueshëm”, sipas tyre.
“Jemi mjaft të gatshëm të dëgjojmë dhe të presim e përcjellim të gjithë gjërat që do të zbulojmë, në atë që unë shpresoj se do të jetë një “udhëtim i mrekullueshëm. Ju faleminderit shumë për besimin!”, u shpreh Sidor.
Ndërsa përfaqësuesi i studios DAR (Daniel Horner) nuk ka nguruar të përgëzojë studion fituese, duke shprehur bindjen, se ata do të luajnë rol të rëndësishëm në formëzimin e qytetit të Tiranës.
“Në fakt jemi pak të zhgënjyer që nuk jemi zgjedhur fitues, por megjithatë ju urojmë gjithë të mirat për të ardhmen, studios ‘Grimshaw’. Kam kaluar kohë në Tiranë, jemi mjaft të habitur nga qyteti, është një qytet i jashtëzakonshëm me një të ardhme mjaft të shkëlqyer dhe në fakt e dimë se ‘Grimshaw’ do të ketë një rol kryesor në formëzimin e tij. Ju urojmë gjithë të mirat dhe do të donim të falenderonim Bashkinë, për mikpritjen e mrekullueshme gjatë gjithë këtij procesi”, theksoi Horner.

Çfarë ofron “Grimshaw Architects”
1-Zgjatje e linjave të ndërtimit duke krijuar më shumë hapësirë për banim. Kryesisht ndërtesa të strukturuara. Gjerësia e bulevardit mbetet 60 metra.
2- Krijimin e energjisë nëpërmjet përpunimit të mbetjeve. Autobus me hidrogjen që ngjitet në kodrën e Paskuqanit.
3- Ndryshime në administrimin e transportit, veç linjave të tramvajit, shtohen linja të tjera që mund të lidhin Aeroportin me qytetin.
4- Strategjia e re parkimit. Parashikohen parkingjet e makinave si ndërtesa konike me kate mbitokësore e nëntokësore. Do të ketë afërsisht 500 vende parkimi makinash. Parkimi i makinave mund të funksionojë para se të përfundojë bulevardi dhe jep mundësinë që qytetarët të krijojnë biznes me të.
5- Parashikohet ndërtimi i një zone sportive për ta vendosur Tiranën në hartën e vendeve të njohura sportive sot apo krijimin e ngjarjeve kulturore, muzikore që gjenerojnë para, duke lejuar edhe koncerte të këngëtarëve të mëdhenj, një katalizator për të gjithë zonën.

Hapësirat përgjatë Bulevardit
Hapësira e parë që nis nga Stacioni i Trenit, parashikon ndërtimin e një parku me një shesh dhe kafene përreth, që merr trajtat e një sheshi intim, por nga ana tjetër, jo me perimetër të ngushtë vizual. Në këtë hapësirë janë parashikuar edhe ndërtimi i disa godinave me funksion publik. Brezi i dytë parashikon në të dy xhepat rreth bulevardit qendra tregtare. Në hapësirën e tretë, që në njërën anë ka një park me gjelbërim, ndërsa ana tjetër ka ndërtesa me funksion publik, ku bëjnë pjesë që nga biblioteka, Bashkia e re, Opera. Edhe ndërtimet janë të ndara sipas tri hapësirave të “dhomave urbane” të planifikuara. Të gjitha ndërtimet nga Stacioni i Trenit deri te Bregu i Lumit do të jenë të reja.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›