E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie dënimi për pronarin e gomones së “9 janarit”

Gjykata Kushtetuese rrëzon dënimin me 20 vjet burg për të akuzuarin si pronar i skafit të "9 janarit", që shkaktoi tragjedinë e janarit 2004 me fundosjen e mjetit lundrues, që transportonte 36 klandestinë drejt Italisë. 

Trazhgim Sokolaj

Me një vendim të shpallur ditët e fundit Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar verdiktin e dhënë nga Gjykata e Lartë për dënimin me 20 vjet burg të Hysni Tafilit, i cili u akuzua nga Prokuroria si pronar i skafit të tragjedisë. Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese kërkon rikthimin e dosjes në Gjykatën e Lartë dhe rishqyrtimin e akteve nga ky institucion. Historia e të akuzuarit si pronar i gomones së "9 janarit" e cila u fundos në det teksa transportonte 36 klandestinë shqiptarë, që tentonin të kalonin në Itali, fillon më 24 janar 2005. Në këtë kohë, me vendim nr. 13, Gjykata e Vlorës e shpalli fajtor Hysni Tafilin dhe e dënoi atë me 8 vjet burg për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 17 vjet burg për "dhënie ndihme në kalim të paligjshëm të kufirit", duke u vënë në përdorim skafistëve gomonen në pronësi të tij e për të ndarë më pas me ta, fitimet e trafikimit të viktimave të tragjedisë. Në bashkim të dënimeve për dy veprat penale, i akuzuar është dënuar në Faktin e Vlorës me 20 vjet burg. Hysni Tafili e ka ankimuar në Apel këtë vendim, por Shkalla e Dytë e gjyqësorit në Vlorë, më 19 prill 2007 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit, duke dënuar me 20 vjet burg të akuzuarin si pronar i gomones së tragjedisë së "9 janarit".
Gjykata e Lartë
Mbrojtësi ligjor i të akuzuarit ka ankimuar edhe vendimin e Gjykatës së Apelit, duke çuar çështjen në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit, më 22 qershor 2007 ka lënë në fuqi masën e dënimit me 20 vjet burg për Hysni Tafilin, mirëpo i ka hequr atij një nga akuzat (neni 279/2 i Kodit Penal) që Prokuroria dhe dy gjykatat i kishin adresuar më parë. Konkretisht Gjykata e Lartë ka pushuar gjykimin për akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit nga vetë i dyshuari, duke lënë në fuqi dënimin me 20 vjet burg ndaj tij vetëm për akuzën "dhënie e ndihmës në kalim të paligjshëm të kufirit" përmes gomones së tragjedisë, që shërbeu për nisjen e klandestinëve në tentativë kalimi drejt Italisë. Pikërisht mbi bazën e këtij dënimi të dhënë nga shkalla më e lartë e gjyqësorit shqiptar, Gjykata Kushtetuese e gjeti të atakueshëm vendimin dhe për këtë, duket se ka qenë dakord edhe i dërguari i Prokurorisë së Përgjithshme si përfaqësues i akuzës. Për këtë shkak, duke gjykuar se Gjykata e Lartë ka rënduar pozitën e të dënuarit, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dënimin e pronarit të gomones së tragjedisë, duke rikthyer dosjen për gjykim në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, çka automatikisht do të thotë dënim më i ulët për të akuzuarin.
Tragjedia
Prokuroria ka akuzuar si shkaktarë të tragjedisë së 9 janarit 2004, 13 persona, mes të cilëve: Nazmi Hyka, Cukall Delia, Zef Marku, Viron Robaj, Altin Beluli, Elton Tafili, Hysni Tafili, Artur Rrokaj, Albert Aliu, Sevret Besho, etj. Klandestinët u transportuan me furgonë për në Vlorë. Mbrëmjen e 9 janarit 2004, ndodhi edhe tragjedia kur gomonia me 36 klandestinë, u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Për personat e dënuar, Prokuroria formuloi akuzën e dhënies ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›