E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt Greqisë për 2 mijë euro, pranga trafikantëve të klandestinëve

GJIROKASTER - Policia Kufitare arreston në flagrancë dy persona për trafik klandestinësh. 

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit, në Gjirokastër mësohet se u prangosën Skënder Shkurti, 36 vjeç dhe Enver Zhupa, 23 vjeç, të dy nga Berati. Arrestimi i tyre ka ardhur pasi janë kapur në flagrancë duke transportuar ilegalisht drejt Greqisë katër shtetas. Akti ilegal i tyre është konstatuar në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, në vendin e quajtur "Arrat e Badlonjës" në rrethin e Përmetit, pak kilometra larg kufirit me Greqinë. Sipas policisë, uniformat blu të Përmetit kanë shoqëruar fillimisht të katër shtetasit që kërkonin të largoheshin drejt Greqisë e më vonë edhe dy shtetasit që do t'i ndihmonin ata të kalonin pa probleme kufirin. Në deklarimet e tyre katër shtetasit po nga Berati, që kërkonin të kalonin në shtetin fqinj u shprehën se, ata janë transportuar nga Berati me automjete të rastit nën vëzhgimin e Zhupës e Shkurtit dhe në Përmet do të përcilleshin nga këta të fundit deri në thellësi të truallit grek. Për të gjithë këtë shërbim dy të arrestuarit do të përfitonin 2 mijë euro. Ndaj tyre rëndon akuza e dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit me qëllim fitimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër për veprime të mëtejshme, ndërkohë që ky është rasti i 50-të brenda vitit që Policia Kufitare konstaton kalime ilegale të kufirit të personave të ndryshëm në drejtim të Greqisë. Pjesa më e madhe e tyre synojnë kalimin në shtigjet malore në këtë periudhë, duke u favorizuar nga koha e thatë dhe e ngrohtë.       p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›