Zbulohet statuja e Herkulit
Një statujë e mermertë e Herkulit, kohë më parë është zbuluar në Izrael. Statuja e gjysmë-zotit të mitologjisë greke është e gjatë gjysmë metri.
Statuja, së cilës u mungon koka, sipas ekspertëve daton nga shekulli i dytë i erës sonë. Ajo është zbuluar në zonën izraelite Horvat Tarbenet, në një lokalitet arkeologjik afër mbetjeve të termeve romake, pranë qytezës Afula, në verilindje të Tel Avivit.
"Statuja është e punuar nga mermeri i bardhë, është gjysmë metri e lartë, dhe ka një bukuri magjepsëse artistike. Ajo është një raritet i vërtetë, sepse ky material nuk ekziston fare në Izrael, që do të thotë se është importuar prej diku tjetër”, deklaroi përfaqësuesi i Zyrës për Antikitete, Vaild Atrash për radion shtetërore izraelite.
Atrash, po ashtu sqaroi se statuja, e cila nën njërin krah mban një lëkurë luani, pasi të restaurohet do të prezantohet për publikun.