E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat bombastike

Në një dokumentar të ri, ish-bashkëpunëtori për siguri kombëtare, Richard Clarke, ka sugjeruar se CIA ka bërë përpjekje që të rekrutojë kidnapuesit e 11 shtatorit 2001 dhe se më pas ka mbuluar këtë përpjekje Nga Express më 17 gusht 2011 në ora 09:32

Vetëm një muaj para përvjetorit të 10-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ish-drejtori i CIA-së, George Tenet dhe dy ish-bashkëpunëtorë të tij po luftojnë akuzat në adresë të tyre, se ata në vitet 2000 dhe 2001 kanë fshehur informatat nga Shtëpia e Bardhë dhe FBI, informata këto të cilat kanë mundur të parandalojnë sulmet.

Burimi i këtyre akuzave bombastike, por ende të padëshmuara, është njeriu, të cilin Tenet e ka konsideruar mik të ngushtë: ish-shefi për kundër-terrorizëm i Shtëpisë së Bardhë, Richard Clarke, i cili ka ngritur këto akuza kundër Tenetit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, në prag të 10 vjetorit të sulmeve.

Clarke ofron një teori, e cila nëse dëshmohet e vërtetë, do të rishkruaj historinë e sulmeve të 11 shtatorit, duke sugjeruar se CIA me qëllim nuk ja ka përcjellë në vitin 2000 dhe 2001 informatat Shtëpisë së Bardhë dhe FBI-së, se dy terroristë të lindur në Arabinë Saudite gjenden në territorin amerikanë-terroristë, të cilët më 11 shtator u bënë rrëmbyes vetëvrasës.

Clarke spekulon, por pranon se nuk mund të ofrojë dëshmi, se CIA nuk ka përcjellë informatat, ngase agjencia ka tentuar të rekrutojë terroristët, përderisa jetonin në Karolinën e Jugut, për të punuar si agjentë të CIA-s brenda Al Qaedes. Pasi që përpjekjet për rekrutim dështuan, zyrtarët e lartë të CIA-s vazhduan të mbajnë të fshehtë informatën nga Shtëpia e Bardhë, nga frika se mund të akuzoheshin për dështim, sugjeroi Clarke.

Clarke thotë se mund të nxirret përfundimi se zyrtarë të lartë të CIA-s kanë dhënë urdhrin, që informata të mbahet e fshehtë. I pyetur se kush ka mundur të jap këtë urdhër, Clarke u përgjigj:”Mendoj se është dhënë nga drejtori (duke ju referuar Tenetit)”.

Clarke thotë se nëse teoria e tij është e saktë, Tenet dhe të tjerët kurrë nuk do ta pranonin të vërtetën, madje edhe po të torturoheshin.

Teoria e Clarke i qaset një prej enigmave më të mëdha, që ndërlidhen me sulmet e 11 shtatorit-pse CIA ka dështuar për një kohë aq të gjatë të njoftojë Shtëpinë e Bardhë dhe FBI-në se kjo agjenci është e vetëdijshme se dy terroristë të Al Qaedes kishin hyrë në SHBA, në janar të vitit 2000, vetëm disa ditë pasi që kishin marrë pjesë në një takim të krerëve të terrorizmit, i cili u zhvillua në Malajzi dhe i cili u vëzhgua fshehurazi nga CIA.

Duke reaguar ndaj akuzave të Clarke, Tenet theksoi se “ai befas ka shpikur akuza të rrejshme, të cilat nuk ja vlen të komentohen”.

CIA ka insistuar para Komisionit për hetimin e sulmeve të 11 shtatorit se kjo agjenci kurrë nuk ka pasur njohuri për vendndodhjen e saktë të dy rrëmbyesve, Navaf Al Hazmit dhe Khalid Al Mindharit, e lere më të ketë bërë përpjekje t’i rekrutojë si agjentë.
Zyrtarët e agjencisë kanë theksuar se vonesa e CIA për të shkëmbyer informatat për terroristët ka qenë një gabim i madh, por se nuk ka pasur sugjerime për mashtrim nga ana e drejtuesve të CIA-s.

Tenet ka theksuar se nuk ka qenë i informuar para 11 shtatorit për hyrjen e Hazmit dhe Mihdharit në SHBA, edhe pse kjo informatë është shkëmbyer ndërmjet niveleve më të ulëta të CIA-s.

Komisioni i 11 shtatorit ka hetuar spekulimet në komunitetin e inteligjencës se CIA ka tentuar të rekrutojë dy terroristët-Clarke nuk është i pari që ka sugjeruar një gjë të tillë-por gjatë hetimeve nuk janë gjetur dëshmi, për të mbështetur këto spekulime.
Megjithatë, Clarke insiston se shpjegimi i vetëm i arsyeshëm për atë se pse CIA nuk ja ka përcjellë informatat Shtëpisë së Bardhë, janë përpjekjet e saj të dështuar për të rekrutuar terroristët.

Cofer Black, i cili ka qenë kryesues i qendrës për kundër-terrorizëm të CIA-s dhe Richard Blee, ish-kryesues i njësisë së agjencisë për Osama Bin Ladenin, gjithashtu kanë kritikuar Clarke.

“Richard Clarke ka qenë një shërbëtor i aftë publik, i cili i ka shërbyer vendit të tij për shumë vite. Por komentet e tij të fundit, për ngjarjet e 11 shtatorit 2001, janë tërësisht të gabuara”, theksuan këta të dy në një kumtesë të përbashkët.

“Duke u mbështetur në qëndrimin e gabuar se informatat janë fshehur me qëllim, Clarke vazhdon të spekulojë-spekulime për të cilat ai pranon se mbështetën vetëm në imagjinatën e tij-se CIA ka tentuar të rekrutojë si agjentë dy rrëmbyesit. Kjo është tërësisht e pabazë”, u theksua më tutje në kumtesë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›