Shkon në gjykatë dosja e të pandehurve për drogën me postë nga Argjentina
TIRANË - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është regjistruar për shqyrtim çështja penale ndaj shtetasve Egland Muka dhe Eduard Smajli, të akuzuar për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, - bënë të ditur të enjten burime pranë kësaj Gjykate.
Muka dhe Smajli u arrestuan në tetor të vitit të kaluar në Tiranë, në një operacion të Policisë së Shtetit, të koduar “Hasta la vista”, me rreth 500 gr lëndë narkotike të llojit kokainë. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila realizoi hetimet për këtë çështje, droga kishte ardhur në Shqipëri përmes një pakoje të dërguar në rrugë postare nga Argjentina. Zbulimi i këtij trafiku është mundësuar në sajë të bashkëpunimit të strukturave hetimore shqiptare me ato perëndimore. Muka dhe Smajli janë arrestuar në flagrancë duke trafikuar sasinë prej 560 gr lëndë narkotike të llojit kokainë, e ndarë dhe e paketuar në 4 pako. Lënda narkotike ishte nisur në rrugë postare nga Argjentina me destinacion Tiranën. Dy shtetasit e mësipërm kanë tërhequr pakon, brenda së cilës ishte fshehur lënda narkotike, pa e ditur se pas porte i prisnin dhe agjentët e Antidrogës, të cilët ishin maskuar për të mos rënë në sy si punonjës të shërbimit postar. Me pakon në dorë, dy personat janë futur në makinën e policisë dhe janë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
9 Janar 2009