Zef Bushati: Përpjekjet për zgjedhje të parakohshme, në dëm të interesave të vendit
Kryesia e ADK-së thërret Këshillin Kombëtar
Aleanca Demokristiane (ADK) e kryesuar nga Zef Bushati, thërriti dje mbledhjen e kryesisë, për të analizuar situatën politike në vend si diskutime rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, organizimi dhe rritja e kontakteve me bazën e ADK-së si dhe përgatitja për zgjedhjen e kandidaturave për deputet në zgjedhjet e 2013-ës, etj.
Në fjalën e tij, Bushati dënoi çdo përpjekje që mund të bëhet nga socialistët dhe aleatët e tyre për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Çdo përpjekje për zgjedhje të parakohshme është në dëm të interesave tona kombëtare”, u shpreh lideri i Aleancës Demokristiane.
“Situata e trazuar në Veriun e Kosovës dhe ngjarjet e fundit në Maqedoni kërkojnë një pjekuri dhe maturi nga ana e politikës shqiptare, për të vepruar nëpërmjet një diplomacie aktive, që të ndihmojë për një zgjidhje sa më paqësore e në përputhje me konventat ndërkombëtare. Të provokosh politikën shqiptare për zgjedhje të parakohshme do të thotë që je miop politik, karrierist i shfrenuar dhe që i shërben qarqeve të caktuara anti- shqiptare”, përfundoi Bushati.
Kryesia e ADK-së ndau detyrat për organizimin e Mbledhjes së Këshillit Kombëtar të ADK-së që do të mblidhet në Tiranë në datën 28 prill, në Sallën e Muzeut Historik Kombëtar.
...