E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Adresuam çështjet që kërkoi Konferenca e Kryetarëve

17-04-2012 / Gazeta 55

Rregullorja e parlamentit, grupi i punës mbyll mandatin

Grupi i punës për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i njohur si procesi i reformës parlamentare e ka mbyllur punën e vet, por pa një votim final mes dy palëve, çka do të nënkuptonte një firmë konsensuale mbi rregulloren e amenduar. Për gjithçka është rënë dakord me përjashtim të dy çështjeve për të cilat mazhoranca e kishte përcaktuar qëndrimin e saj që në krye të herës. Bëhet fjalë për votimin në mënyrë të fshehtë të dekreteve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, dhe për kërkesën e opozitës për të kufizuar kohën e Kryeministrit dhe të ministrave në parlament. 

Të dy këto çështje sipas Jemin Gjanës, bashkëkryetar demokrat i grupit të punës janë çështje kushtetuese që vetëm Gjykata Kushtetuese mund t’i interpretojë. 

“Janë dy çështje që janë adresuar nga opozita, por që janë jo në përputhje me mandatin që ka ky grup pune, sepse prekin çështje të interpretimit të dispozitave kushtetuese, si dekretet, si koha e fjalës së Kryeministrit dhe ministrave”, vuri në dukje Gjana. 

Gjana theksoi që të gjitha çështjet e tjera të kërkuara nga opozita për statusin e deputetit dhe rregulloren janë adresuar me konsensus në grupin e punës në përputhje me mandatin që marrëveshja e parlamentare e 14 nëntorit i ka dhënë këtij grupi pune që ato të jenë në përputhje me Rregulloren e Parlamentit Europian. Ndaj dhe demokratët e konsiderojnë të mbyllur punën mbi këtë reformë. 

“Të gjitha çështjet e tjera janë adresuar dhe pranuar dhe unë e konsideroj të mbyllur aktivitetin e këtij grupi pune. Është çështje e dakordësisë së palëve për ta përcjellë në seancë plenare. Ata këmbëngulin në këto dy çështje, të cilat nuk janë në përputhje me mandatin e grupit të punës”, nënvizoi Gjana, sa i takon një çështje të tillë.

Grupi i punës ka realizuar dhjetë amendamente për statusin e deputetit dhe 27 amendamente për rregulloren, duke pasur parasysh rregulloren e Parlamentit Europian dhe mos-rritjen e shpenzimeve buxhetore për veprimtarinë e deputetëve dhe Kuvendit në tërësi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›