Nishani: Garantimi i kufijve të hapur, por të sigurt mund të arrihet përmes bashkëpunimit reciprok

Konferencë ministrore në Vjenë mbi Iniciativën e Azisë Qendrore në Sigurinë e Kufijve
Ministri i Brendshëm Z. Bujar Nishani mori pjesë në konferencën ministrore mbi Iniciativën e Azisë Qendrore në Sigurinë e Kufijve që po zhvillohet në Vjenë, e organizuar nga Ministria e Brendshme e Austrisë dhe OSBE.
Në këtë konferencë dyditore, 16-17 prill 2012, ku Ministri Nishani është ftuar nga Ministrja e Brendshme e Austrisë Johana Mikl-Leitner, përveç vendeve të Azisë Qendrore merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë të vendeve të BE, SHBA, Japonisë, Rusisë, si dhe organizatave ndërkombëtare si UNODC, UNDP, UNHCR, INTERPOL, FRONTEX, ICMPD, IOM, Bankës Botërore, etj.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani prezantoi në konferencë modelin dhe progresin e Shqipërisë në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, kryesisht në bashkëpunimin me vendet fqinje si dhe impaktin e këtij bashkëpunimi, jo vetëm në rritjen dhe forcimin e sigurisë së kufijve, por dhe të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve, mjeteve dhe mallrave nëpërmjet pikave të kalimit kufitar.
Ministri Nishani theksoi në fjalën e tij se garantimi i kufijve të hapur por të sigurt mund të arrihet vetëm në sajë të bashkëpunimit dhe partneritetit reciprok, si dhe garantoi njëherazi të gjitha vendet se do të gjejnë tek Shqipëria një partner të sigurt për këtë qëllim.
Ministri Nishani zhvilloi edhe një takim të veçantë me homologen austriake Johana Mikl-Leitner. Në takim u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin e deritanishëm dypalësh në fushën e rendit dhe sigurisë publike, luftën kundër emigracionit të paligjshëm, shkëmbimit të informacionit me interes reciprok, ecurinë dhe rezultatet e misionit PAMECA etj.
Ministri Nishani falënderoi nga ana e tij Ministren Mikl-Leitner për bashkëpunimin dhe ndihmën që ka ofruar Republika Federale e Austrisë në fushën e rendit dhe sigurisë publike, në forcimin e kapaciteteve profesionale, si dhe garantoi vullnetin e plotë për thellimin e bashkëpunimit institucional.
Nga ana e saj Mikl-Leitner nënvizoi progresin e dukshëm të Shqipërisë si dhe shprehu vlerësimin për rolin e vendit tonë në rritjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në fund të takimit, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ftoi për një vizitë zyrtare në Shqipëri homologen austriake, ftesë e cila u prit me shumë kënaqësi nga Ministrja e Brendshme e Republikës Federale të Austrisë Johana Mikl-Leitner.
...