Zemërohen tifozët kuqezinj: “Ky Milan është i mbaruar!”
Eliminimi i Milanit nga Kupa UEFA i ka djegur shumë tifozët kuqezinj, të cilët kanë shpërthyer në forumet e faqeve italiane. Miliona fansa janë duke vuajtur, duke e konsideruar sezonin aktual një falimentim të plotë.
“Ky sezon duhet të ishte ai i një rinisje, - thotë një tifoz i Milanit, - por, përkundrazi, u shndërrua në një katastrofë të pabesueshme. Nga Kupa UEFA dolëm shumë shpejt, në kampionat po ngjallim neveri. Eh! Milani i madh ka mbaruar”.
Tifozët e revoltuar vazhdojnë: “Duhet të jemi të gjithë dakord se përfundoi cikli ‘Ançeloti’ dhe është e nevojshme që sa më shpejt që të jetë e mundur të rihapim një tjetër, duke u bazuar në investime”.
“Tani, mjaft më! E prekëm fundin”, - shpërtheu një tifoz, i cili propozoi edhe rrugën e tij për të shëruar Milanin. “Të gjithë të venë në shtëpi, duke filluar nga Ançeloti, Jankulovksi, Favali, Senderos, Pirlo e Sedorf. Të qëndrojnë vetëm Kaka, Pato, Ambrozini e Gatuzo”.
Ranieri: “Milan, një problem më shumë”
“Nuk e prisja. Tani Milani ka vetëm kampionatin. Dhe për ne është një problem më shumë”. Këto janë fjalët e trajnerit te Juventusit, Klaudio Ranieri, pas eliminimit të Milanit nga Kupa UEFA. “Fishkëllimat ndaj Ançelotit? Në futboll nuk ekziston mirënjohja. Duhet të kërkosh gjithmonë të fitosh”. Ranieri dha edhe një mendim për brazilianin e Verder Bremenit, Diego, objektivi kryesor i Juves në merkaton e ardhshme verore: “Luajti shumë mirë. E kam thënë shpesh. Nuk është diçka e re”. Vëmendja e teknikut kthehet te ndesha kundër Napolit në kampionat dhe te ajo kundër Çelsit në Ligën e Kampioneve. “Ta harrojmë Çelsin pasi tani duhet të mendojmë vetëm për Napolin. E dimë që na pret një skuadër që po kalon një moment të veçantë dhe që ka pesë pikë më shumë në raport me vitin e kaluar”.
Maldini, kapiteni i rekordeve
Paolo Maldini i dha lamtumirën Europës me një eliminim të dhimbshëm të Milanit nga Kupa UEFA, por kapiteni legjendar i kuqezinjve ka një mijë arsye për të qenë krenar për historinë dhe rendimentin e tij në kompeticionet më të rëndësishme europiane të klubeve.
Numrat e Maldinit, i cili debutoi në arenën ndërkombëtare me fanellën e Milanit thuajse 24 vjet më parë, janë të admirueshëm. Rastësia e lidh Paolon sërish me Kupën UEFA, pasi dhe ndeshja e parë e tij në Europë, ajo kundër Okserit, më 18 shtator 1985, ishte pikërisht në Kupën UEFA.
Atëherë linja e mbrojtjes përbehej nga Tasoti, Filipo Gali, Franko Barezi e nga vetë Maldini. Francezët fituan 3-1, por në ndeshjen e kthimit, sërish me Maldinin në fushë, skuadra kuqezezë fitoi 3-0 në “San Siro”.
Që nga ajo ditë e sot, Paolo Maldini ka zhvilluar në arenën ndërkombëtare 139 ndeshje në Ligën e Kampioneve, 22 në Kupën UEFA, 7 në Superkupën e Europës dhe 7 në Botërorin e Klubeve. Në total janë 168 ndeshje në total.
28 Shkurt 2009