Zendeli largohet nga Besa!“Mënyra se si janë duke vajtur punët te Besa nuk është aspak e lakmueshme dhe largimi i Zendelit është shumë afër. Ndoshta ai nuk do ta presë edhe fundin e kampionatit”, thotë një burim i afërt me portierin Suat Zende

Reshat Ibrahimi (Shkup)- Portieri i Besës së Kavajës, Suat Zendeli sipas të gjitha gjasave nuk do ta presë fundin e kampionatit të Shqipërisë. Burime të afërta me të kanë treguar për “Lajm” se ai dëshiron të largohet sa më shpjet nga klubi i Super ligës shqiptare.
“Mënyra se si janë duke vajtur punët te Besa nuk është aspak e lakmueshme dhe largimi i Zendelit është shumë afër. Ndoshta ai nuk do ta presë edhe fundin e kampionatit”, thotë ky burim, që kërkon të mbetet anonim. Ndërkaq vetë portieri Zendeli nuk ka mohuar dhe pohuar asgjë.
“Është një gjendje e palakmueshme nëpër të cilën po kalon klubi. Sigurisht se ne po përpiqemi të stabilizohemi dhe mos të dështojmë në qëllimin tonë. Personalisht nuk kam menduar ende në largim, por gjithçka mundë të ndodhë”, tha Zendeli, pas ndeshjes Partizani-Besa, të cilën e kishin humbur 1:0.
Kjo ishte humbja e tretë me radhë e skuadrës “verdhezi”, edhe atë nga Vllaznia 1:4, Tiranën 1:3 dhe Partizanin 1:0. Si rezultat i këtyre humbjeve në katër ndeshjet e fundit erdhi shkarkimi i trajnerit të deritanishëm, Ilir Daja. Shpresat e Besës për dalje në Evropë janë pozicionuar vetëm nëpërmjet Kupës së Shqipërisë.
Besa aktualisht gjendet në vendin e pestë të tabelës së klasifikimit duke mbetur pas Vllaznisë, Tiranës, Dinamos dhe Shkumbinit. Suat Zendeli me ekipin e Besës ka filluar në vitin 2007, ndërsa kontrata e tij përfundon në fund të këtij stinori.
E Enjte, 26 Shkurt 2009