E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zënë vend monumentet

 
 
Një palë ambiente të reja për monumentet: zyra për Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Shkolla e Restaurimit që hap më në fund dyert, dy vjet pas përfundimit të projektit. Mund të thuhet se pas endjeve lart e poshtë për zyra, Institutit i cili doli jashtë nga vila e Mbretit Zog, po krijohet një kompleks ku rrinë bashkë administrata dhe shkolla e parë e restaurimit, edukimi dhe praktika.
Ngritja e Shkollës e cila në fakt do të funksionojë si Qendër e Restaurimit dhe Konservimit të Monumenteve, u bë e mundur falë ndihmës që UNESCO ka dhënë me vlerë financiare 1 milion e 250 mijë euro. Ka qenë projekt i përbashkët ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve (kur ministër ishte Blendi Klosi), dhe Unesco-s dhe u zbatua falë asistencëss dhe bashkëveprimit ndërmjet Institutit të Monumenteve të Kulturës, dhe Unesco-s, me qëllim kualifikimin shkencor të specialistëve që merren me restaurimin dhe konservimin e monumenteve të kulturës dhe plotësimin e atij boshllëku që është krijuar ndërmjet brezave që po vijnë dhe atyre që e kanë fituar këtë zanat si autodidaktë. Shkolla do të administrohet nga një qendër që do të funksionojë brenda strukturës së IMK. Shkolla iu vjen në ndihmë strukturave shtetërore dhe "nxënësit" e parë do të jenë vetë punonjësit e IMK-së dhe të Drejtorive Rajonale nëpër rrethe. Gjithsej mendohet të jenë 20, 10 për restaurimin arkitektonik, d.m.th që do jenë inxhinierë dhe arkitektë dhe 10 për restaurimin e artit që do të jenë restauratorë të mozaikëve, afreskëve, të gurit, të drurit, objekteve arkeologjike etj.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›