E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiraj beson në ‘mrekulli’

Pas tri xhirosh në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, Dinamo e Zagrebit nuk ka tubuar asnjë pikë. Por, Fatos Beqiraj është optimist se skuadra do të fitojë pikët e para në përballjen me Ajaxin. Përveç kësaj, sulmuesi kosovar beson se me Malin e Zi mund të mposhtë Republikën çeke në barazh dhe të sigurojë kualifikimin për në Euro 2012.

Pas gjysmës së rrugëtimit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, Dinamo e Zagrebit ende nuk ka asnjë pikë të fituar. Por, sulmuesi Fatos Beqiraj ende beson në ‘mrekulli.

“Kemi treguar në të gjitha ndeshjet e Ligës së Kampionëve se japim gjithçka nga vetja, ndërsa kundër Ajaxit do të tregojmë lojë shumë më të mirë se në Zagreb. Nuk do të jetë lehtë, duhet të përgatitemi mirë dhe në Amsterdam shkojmë në kërkim të pikëve të para”, tha Beqiraj për mediet kroate të hënën.

Sulmuesi pejan ka analizuar lojën e gjigantit holandez, kundërshtarit të tyre të ardhshëm, në përballjen e së mërkurës.

“Ajaxit i pëlqen të luajë me pasime, këtë e tregoi edhe në Zagreb. As neve nuk na pëlqen të mbrohemi e të zhvillojmë lojë defensive, ndërsa i takon trajnerit të vendosë se në cilin formacion do të paraqitemi. Në një gjë jam i sigurt, ekipi që do të luajë atje do të nxjerrë rezultat pozitiv”, shtoi ai.

Ish futbollisti i Shqiponjës dhe i Besës nga Peja e pranoi se Dinamo duhet të jetë më efikase para portave kundërshtare. “Në kualifikime për në Ligën e Kampionëve të gjithë sulmuesit kanë shënuar gola, por Liga e Kampionëve është shkalla më e lartë dhe është vështirë të shënoni gola. Ato raste të cilat na ofrohen duhet t’i konkretizojmë”, u shpreh ai.

Përveç ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, ligës dhe Kupës së Kroacisë, Beqirajn e presin edhe takimet e barazhit për kualifikim në Euro 2012, ku Mali i Zi ndeshet me Republikën çeke.

“Në muajin nëntor ka shumë ndeshje, por aktualisht jam i përqendruar vetëm në takimin me Ajaxin. Pas atij luajmë me Zagrebin e më pas kam obligime me përfaqësuesen. Na pret një kundërshtar të cilin e doja dhe mendoj se kemi gjasa reale për t’u kualifikuar”, deklaroi Beqiraj.

Sa u përket kundërshtarëve të deritashëm në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, nuk është për t’u çuditur që Beqiraj e veçon Real Madridin si skuadrën më të fuqishme.

“Ndeshja kundër Real Madridit është diçka e veçantë, jo vetëm për ne, por për secilin ekip në botë. Reali është njëra prej skuadrave më të mira, rang në vete. Ndërsa ne kemi dëshmuar se mund të përballemi me ta. Nuk do të veçoja askënd. Ronaldo, por edhe mbrojtësit Ramos e Pepe, të gjithë janë futbollistë të klasit botëror”, u shpreh 23 vjeçari.

Ish anëtari i ekipit malazez Buduçnost është aktualisht golashënuesi më i mirë i Dinamos dhe synon të vazhdojë me paraqitje të mira.

“Duhet të vazhdoj kështu. Për mua është prioritet suksesi i ekipit e nëse më ofrohet mundësia, do të luftoj edhe për çmimin e golashënuesit më të mirë. Vetëm duhet punuar dhe luajtur”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›