Zeneli, dyshime për kërcënime para atentatit
Dyshohet se avokati i Pinarit, ka marrë kërcënime dhe për këtë shkak dyshohet se është larguar jashtë vendit
Dje policia ka marrë deklarimet e juristit të njohur pas kthimit nga Budva, kur ka deklaruar se nuk kishte konflikte, ndërsa ka takuar drejtuesit blu
TIRANE- Pak ditë përpara atentatit me lëndë eksplozive në shtëpinë e tij, avokati i njohur Artan Zeneli, dyshohet se ka marrë kërcënime për të cilat hetuesit e policisë së kryeqytetit po punojnë.
Lajmi bëhet i ditur nga burime të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit të cilët pohuan se ata kanë marrë në konsideratë disa pista, ndërsa pritet të merret deklarimi i vetë avokatit, ish- kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë.
Ky i fundit është kthyer gjatë ditës së diel në Shqipëri, pasi kishte vendosur të kalonte fundjavën jashtë vendit, menjëherë sapo është njoftuar nga të afërmit e tij nëpërmjet linjës telefonike mbi ngjarjen.
Gjithsesi policia nuk ka dokumentuar kërcënime në deklarimet e avokatit Zeneli, apo në ato të personave të tjerë.
Ndërkaq, hetuesit pasi kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë komunikuar me nënën e Zenelit që banon ngjitur me apartamentin e tij. Kjo e fundit i ka komunikuar në telefon ngjarjen. Avokati Zeneli, gjatë kësaj kohe ka qenë në qytetin bregdetar të Malit të Zi, në Budva.
Atje, sipas burimeve të policisë, ai kishte shkuar që të premten, ndërsa të afërmve të tij ai i kishte komunikuar se do të largohej jashtë vendit, por jo se ku dhe sa ditë do rrinte, apo arsyen.
Ndërkaq e ëma, iu ka pohuar hetuesve se i biri kishte dalë rrallë jashtë vendit, fakt që është konfirmuar edhe në sistemin TIMS. Kjo shton dyshimet se rasti mund të ketë qenë një person, apo me kërcënime të mëparshme.
Deklarimi
Gjatë ditës së djeshme, specialistët e hetimit, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, i kanë marrë një deklarim avokatit Zeneli në lidhje me konfliktet që ai ka pasur apo në lidhje me probelemet e mundshme edhe për faktin nëse ai ka marrë ndonjë kërcënim.
Gjatë deponimit të tij përpara hetuesve të zyrës së Hetimit të krimeve të Shkatërrimit të Pronës, Zeneli ka pohuar se nuk ka marrë ndonjë herë kërcënime apo të ketë pasur probleme.
Pistat kryesore mbi të cilat e kanë ngritur punën e tyre hetuesit janë drejtuar mbi problemet që lidhen me profesionin e tij si avokat. Në lidhje me këtë pistë, Zeneli ka pohuar se nuk ka pasur probleme, apo konflikte që mund kenë si origjinë punën e përditshme të tij.
Një version që ata kanë verifikuar sipas burimeve ka qenë edhe fakti se ai është mbrojtës ligjor i Ylli Pinarit, bashkë me një avokat të quajtur Ardian Leka. Ai ka pohuar se ka qenë avokat i dytë dhe se ishte thirrur vetëm në fillim nga Pinari, ndërsa nuk e dinte nëse do të vazhdonte të ishte ende përfaqësues i tij apo jo.
Përgjigjet e Zenelit se nuk kishte pasur asnjë konflikt apo përplasje duket se kanë vënë përpara një dileme hetuesit, të cilët kanë mbetur jo pak të zhgënjyer nga përgjigjet e tij, që nuk i drejtonin aspak ata drejt zbulimit të së vërtetës dhe autorit të mundshëm të krimit.
Ndërkaq përpara se të jepte deklarimet e tij për oficerët e zyrës përkatëse të hetimit, avokati Zeneli ka pasur një takim me drejtuesit e lartë të Policisë së Tiranës pikërisht për këtë çështje.
Nuk dihet se cili ka qenë qëndrimi i Zenelit, por burimet, kanë pohuar se në takim, Zenelit i është premtuar angazhim serioz në hetimin e çështjes ndërsa është kërkuar bashkëpunimi dhe ndihma e tij.