Nica me peshore: Apolonia-Laçi, fitorja anon nga fierakët
Trajneri Stavri Nica pohon se të dy ekipet do dhurojnë futboll të bukur, kjo është e garantuar, por njëkohësisht do tri pikët
Apolonia Laçi (sot 16:00)
ApoloniaLaçi do të jetë një nga ndeshjet më interesante të javës III të kampionatit superior. Është një duel që intrigon për shumë arsye. Të dy ekipet kërkojnë që të krijojnë një fizionomi të qartë dhe të qëndrueshme në këtë përfaqësim superior dhe kjo do të bëjë që të kërkojnë rezultatin pozitiv.
Nga ana tjetër, është edhe një fakt interesant: Apolonia drejtohet momentalisht nga trajneri Stavri Nica, durrsaku që më së shumti është identifikuar me pasaportën si trajneri i suksesshëm i Laçit, ku ka qëndruar pa lëvizur dy sezone radhazi dhe e ka ngjitur deri në Europa Ligë. Kryepankina e Apolonisë ndihet i emocionuar përpara këtij ballafaqimi, sepse nuk mund ta mohojë faktin që kreditet e tij janë të lidhura ngushtësisht, përveç Teutës, edhe me Laçin.
Por Nica është profesionist i vërtetë dhe, kur vjen puna për të analizuar dhe gjykuar, flet me qetësi në këtë pragndeshje: Do të jetë një përplasje që do të ngjallë shumë interes, pasi janë dy skuadra të afta që prodhojnë futboll të bukur. Unë e njoh mirë Laçin dhe mentalitetin e kësaj skuadre, di dhe karakterin që kanë kurbinasit pa pyetur shumë për faktorin fushë dhe, nëse karikohen e ndihen të motivuar, janë në gjendje që të surprizojnë e të sfidojnë këdo.
Më duhet ta përgëzoj kolegun Dede për punën që po bën te ky ekip. Nga ana tjetër, Apolonia ime është një ekip me shumë dëshirë dhe me shpirt gare, një skuadër e mbështetur te loja në grup dhe që nuk pranon asnjë rezultat tjetër, veç fitores në fushën e vet. Në këtë kontekst, duke parë përlasjen në këtë lloj prezantimesh, unë them se peshorja këtë herë anon nga skuadra që unë drejtoj.
Nuk do të doja të përdorja shprehjet që parapëlqehen shpesh nga media, si: Unë ia di pikën e dobët Laçit, pasi këto janë thjesht shprehje demagogjike. Fitoren e mbështes te forca dhe mundësia e ekipit tonë, te përgatitja që kemi bërë dhe të mbështetja e fuqishme që besoj se do ta kemi nga sportdashësit tanë.
Laçi i takon së shkuarës, Apolonia është e tashmja ime dhe jo vetëm, kështu që nuk ka asnjë përplasje këtu. Duhet të jemi të kujdesshëm në fushë, të kontrollojmë kundërshtarin ashtu siç duhet dhe ta kërkojmë fitoren përmes lojës, – ka thënë midis të tjerave trajneri i Apolonisë, Stavri Nica.
Pasha, një tjetër ish sot ndaj Laçit
Një tjetër ish që do të luajë për herë të parë kundër kurbinasve, është edhe mesfushori Armand Pasha. Për 20vjeçarin do të jetë një ndeshje ndryshe nga të tjerat, pasi do të vihet kundër ishshokëve të tij të skuadrës, me të cilët ka luajtur dy sezonet e fundit. Pasha ka ndjekur rrugën e trajnerit të tij, për të ardhur nga Laçi në Fier. Në dy javët e para, mesfushori ka qenë pjesë e formacionit bazë, pasi ai është një njohje e vjetër e Nicës dhe i padiskutueshëm në fushë.
