E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqo: Ja pse e largova Duron dhe solla një të huaj

Nga LEONARD TREBICKA

Presidenti deklaron se arriti mirëkuptimin me Duron për largimin e tij dhe beson te profesionalizmi i trajnerit çek

I qeshur është parë ditën e djeshme në prezantimin e trajnerit të ri të Skënderbeut, Stanislav Levy, presidenti i korçarëve, Agim Zeqo, i cili në radhë të parë përpara gazetarëve ka sqaruar fjalët e tij të një dite më parë, teksa mohoi se te Skënderbeu do të vinte një trajner i ri. Nuk kisha se si ta bëja një gjë të tillë, pra ta bëja publike lajmin e largimit të Duros dhe ardhjen e trajnerit Levy.

Tri ditë pas humbjes së fundit që ne arritëm në Laç, të gjithë donatorët e Skënderbeut u mblodhëm për të diskutuar gjendjen e ekipit dhe normalisht vendosëm që përgjegjësitë e para ti kishte trajneri. Fundjavën e kaluar ne vendosëm përfundimisht që ta ndërronim trajnerin dhe thirrëm trajnerin çek, që sot ndodhet në Korçë. Mirëpo një ditë më parë ne nuk kishim biseduar me të, madje as nuk kishim firmosur kontratën e re.

Sot (dje) pas bisedimeve që patëm dhe pasi ramë dakord, vendosëm përfundimisht për firmosjen e kontratës së re të këtij trajneri dhe pastaj e pamë të udhës që ta bënim publik lajmin. Nuk mund ta bëja publik një lajm, kur ndoshta sot (dje) mund të mos binim dakord dhe pastaj…Kjo do të thotë që unë si president bëj publike vetëm lajme kur i zyrtarizoj dhe asnjëherë para kohe, për këtë duhet të më kuptojnë edhe mediat, – ka deklaruar presidenti Zeqo.

Zeqo për Duron Më pas ka bërë të ditur edhe arsyet që e çuan në largimin e Shpëtim Duros: Qysh në momentin që përfunduam vjet sezonin dhe u shpallëm kampionë, ne ishim të sigurt që me Duron trajner gjithçka do të funksiononte edhe këtë vit. Nuk e filluam mirë që me Superkupën ndaj Tiranës, të cilën e humbëm, edhe pse jemi një skuadër më e mirë se Tirana. Nuk ia fal vetes në radhë të parë atë humbje dhe të gjithë kemi faj.

Më pas në kampionat, shorti i 4 javëve të para ishte i mirë, madje ne mendonim që minimumi sot të kishim 10 pikë dhe maksimumi 12 të tilla. Kjo nuk ndodhi. Atëherë rruga e vetme është që ndryshonim diçka dhe ndryshimi i vetëm ishte trajneri, pasi futbollistët nuk i afrojmë as nuk i largojmë dot, sepse merkatoja ka përfunduar. E njoftova Duron me telefon dhe ai më mirëkuptoi.

Edhe ai ishte i bindur që kishim lënë pikë rrugës. Madje duhet të kishim dhënë diçka më shumë edhe në Champions ndaj Apoelit, por për faj të përvojës ne nuk kaluam turin. Këto rezultate të kohëve të fundit na bindën ne biznesmenëve që të zgjidhnim këto ndryshime që ne bëmë. Jam i bindur që mund të bënim ndryshime edhe në skuadër te futbollistët, por nuk mund të bëjmë dot tani në këtë moment, do të presim janarin.

Zeqo për Levyn Ndërkohë që në lidhje me ardhjen e trajnerit të ri, Stanislav Levy, Zeqo do të pohonte: Nuk kemi provuar asnjëherë si klub një trajner të huaj dhe, duke parë eksperiencën dhe përvojën që kanë këta të huaj më shumë se trajnerët shqiptarë, vendosëm të sillnim Stanislav Levy te Skënderbeu.

Ai ka një përvojë të madhe dhe jam i bindur që me të jo vetëm që do të shpallemi kampionë, por do të arrijmë të paraqitemi denjësisht edhe në Champions Leaguen e ardhshme. Sa për kontratën, ai ka firmosur për një vit, këtu përfshihen edhe ndeshjet e Europës, me opsion rinovimi, nëse çdo gjë ecën sipas objektivit tonë, – përfundon fjalët e tij presidenti, Agim Zeqo.

Stanislav Levy: Erdha për një skuadër kampione

Dua të them se e njoh Skënderbeun vetëm nëpërmjet internetit dhe me bisedën që kam bërë me presidentin. Në internet kam parë disa ndeshje të Skënderbeut në kampionatin shqiptar dhe të dy takimet që kjo skuadër ka luajtur me Apoelin për Champions. Kam qenë në Gjermani prej 16 vitesh, madje atje kam drejtuar edhe Hanoverin dhe shqiptari i parë që kam njohur është Altin Lala.

Ofertën që mora nga presidenti Zeqo e pranova dhe duke mos e njohur në fushë këtë skuadër, nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të filloj sa më shpejt nga puna, pasi të dielën ne kemi ndeshjen e radhës ndaj Kamzës, të cilën duhet ta fitojmë. Për lojtarët nuk bëjmë dot ndryshime në këtë moment dhe në këtë mënyrë një trajner që do të arrijë sa më shumë suksese duhet të fillojë punën dhe këtë do ta bëj që sot (dje) me Skënderbeun, – përfundon fjalët e tij trajneri i ri i Skënderbeut, Stanislav Levy.

Duro ikën i përlotur: Suksese Skënderbeut!

Një ditë më parë, trajneri Shpëtim Duro pati deklaruar sapo mori vesh lajmin si thashethem se ai do të largohet, se atë deri më sot në 17 vjet drejtim nuk e ka hequr njeri dhe ai do të vazhdojë të jetë trajner i Skënderbeut, ndërkohë që dje ka ndodhur krejt e kundërta. Duro, në orën 15:30 të pasdites së djeshme ka thirrur në sallën e konferencave të shtypit në stadiumin Skënderbeu të gjithë futbollistët dhe stafin teknik, teksa u ka thënë:

Ju falenderoj të gjithëve për atë që keni dhënë nën drejtimin tim si trajner. Donatorët e menduan që unë të largohesha dhe unë po iki. Ju uroj suksese dhe jam i bindur që ky ekip do të japë maksimumin për të dalë sërish kampion, ka pohuar Duro, që i përlotur ka takuar lojtarët dhe është larguar me makinën e tij në drejtim të Tiranës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›