Korçarët fitojnë mes kontestimit, vlonjatët statikë në fushë
Flamurtari shënon i pari sërish, por Skënderbeu përmbys në pjesën e dytë, goli i tretë dhe i katërt janë për turp për të dyja palët
SKËNDERBEU – FLAMURTARI 4-1
Shënues: Shkëmbi 64, 76, Muzaka 94, Plaku 96 \ Veliu 2
SKENDERBEU: Shehi, Radas, Bicaj, Arapi, Orelesi, Bratiç, Biskup, Kërçiku (Plaku 46), Shkëmbi, Muzaka, Xhafaj. Trajner: S. Levi
Kartonë të verdhë: Arapi, Bratiç, Bicaj
Karton i kuq: Hysi (në stol)
FLAMURTARI: Spaho, Sakaj, Brahja, Veliu, Abraham, Arbëri, Pezo, Kuqi, Progni, Shtubina (Selimi 62), Pejiç. Trajner: Sh. Muça
Kartonë të verdhë: Spaho, Brahja, Pezo, Arbëri
Gjyqtarë: M. Masha (Tiranë), G. Koka, R. Çokaj (Taullau 77) (Lezhë)
Radiografia
2- Goditje dënimi për Flamurtarin. Veliu me një të majtë të hidhur nga 20 metra e çon topin në trekëndëshin e majtë të Shehit, duke shtangur kampionët nga ky gol i shpejtë. 0-1 për Flamurtarin.
18- Muzaka në një goditje dënimi për korçarët, fut një top të saktë brenda zonës dhe Xhafaj me këmbë e dërgon topin në rrjetë, por më parë gjyqtari anësor kishte ngritur flamurin për pozicion jashtë loje.
30- Muzaka futet brenda zonës vlonjate gjuan fuqishëm, pret Spaho.
50- Arbëri për vlonjatët nxjerr të lirë Pejiçin, që gjuan me të djathtën, por topi diagonal kalon jashtë vijës fundore.
64 Muzaka, në një goditje ballore dënimi, gjuan dhe topi prek murin e miqve, kthehet tek Shkëmbi, që e qëndis me të majtën e tij, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke barazuar rezultatin në 1-1.
76- Kroati Bratiç del i vetëm përballë Spahos, gjuan dhe portieri mik grushton, por është Shkëmbi që në hyrje të zonës sërish gjuan menjëherë, këtë herë duke shënuar golin e avantazhit për Skënderbeun.
77- Vetëm 40 sekonda pas gëzimit të korçarëve, në fushë paraqitet gjyqtari anësor Çokaj me kokën e gjakosur dhe menjëherë merr ndihmën e të dy stafeve mjekësore.
77-90 – Pasi i është dhënë ndihma mjekësore Çokajt, gjyqtarët janë futur në dhomat e zhveshjes dhe pasi kanë telefonuar edhe në FSHF, kanë vendosur që gjyqtari i katërt Artan Taullaraj të zëvendësonte asistentin e dytë të takimit.
94- Vlonjatët qëndrojnë pasivë në fushën e lojës, Plaku dhe Muzaka dalin vetëm për vetëm me Spahon dhe është Plaku që nuk dëshiron të shënojë, duke ia dhuruar topin Muzakës, që afrohet deri te vija fatale dhe shtyn topin në rrjetë, 3-1 për Skënderbeun.
96- Vonjatët vijojnë të jenë pasivë në fushën e lojës. Këtë herë është Muzaka që nxjerr të lirë Plakun, që nuk e ka të vështirë të shënojë edhe golin e katërt.
Superndeshja e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, luajtur dje në Pogradec, mund të themi se për 76 minuta ka qenë një ndeshje vërtetë e bukur, ndërkohë që minutat e tjera sollën edhe tensionin në fushë, ku korçarët arritën të përmbysnin gjithçka nga 0-1 në 2-1. Por ishin vlonjatët që më pas nuk pranuan atë gol të dytë të korçarëve, duke e cilësuar në pozicion jashtë loje dhe vendimi i stafit drejtues ishte që Flamurtari të mos luante më.
Këto minuta të fundit kanë sjellë edhe dy gola të Skënderbeut, që duhet thënë se i kanë kaluar si piramida në fushën e lojës futbollistët miq, pasi ata nuk kishin më dëshirë të luanin. Një përballje si e djeshmja, që po shkonte më shumë se mirë në Pogradec, nuk e meritonte një fund të tillë. Pas ndeshjes ka festë në dhomat e zhveshjes së Skënderbeut, ndërkohë që vlonjatët të gjithë të mërzitur dhe me mllef kanë deklaruar se kërkojnë fitoren në tavolinë.
Pjesa e parë Të dy ekipet zbritën në fushën e lojës me futbollistët e tyre më të mirë, ndërkohë që trajneri Levi, nga ana e vet, surprizoi duke futur në formacion Kërçikun dhe duke lënë në stol emra të tillë, si Plaku dhe Dimo. Me dy sulmues, Xhafaj dhe diku pranë tij Muzaka, Skënderbeu ka zgjedhur një skemë që të shikojë më shumë nga sulmi, ndërkohë që për vlonjatët Pejiç ishte i vetëm në sulm dhe u duk se e gjithë loja do të luhej me topa të gjatë për te kroati.
Por, pas plot 120 sekondash, Franc Veliu ekzekuton në mënyrë spektakolare një goditje dënimi dhe topi përfundon në trekëndëshin e majtë të Shehit, duke lënë të habitur gjithë korçarët në shkallët e stadiumit. Pas pësimit të golit, Skënderbeu zgjohet dhe krijon volum të madh loje.
Deri në fundin e pjesës së parë rastet kanë qenë të shumta për vendasit edhe për atë se vlonjatët më shumë mbrohen dhe kërkonin herë pas herë që të kundërsulmonin me një zbritje të lexueshme, të gjithë topat shkonin te Pejiç dhe kampionët e kishin më të lehtë që të thyenin aksionet e tyre. Por gjithçka në këtë pjesë të parë mbyllet me avantazhin 1-0 të miqve nga Vlora.
Pjesa e dytë Levi hedh në fushë Plakun, duke nxjerrë Kërçikun, ndërkohë që vlonjatët zbresin në fushë me të njëjtin formacion. Presioni nga ana e vendasve rritet. Duhet të vinte minuta e 64-t që korçarët të barazonin rezultatin me një gjuajtje të Muzakës në një goditje dënimi dhe më pas kapiteni Shkëmbi merr për dore të tijtë, duke lëshuar një predhë dhe duke e dërguar topin në rrjetë
. Pas barazimit miqtë hutohen, ndërkohë që vendasit vijojnë të kërkojnë me ngulm golin e avantazhit, të cilin e arrijnë 12 minuta më vonë, përsëri me anë të Shkëmbit, por më parë është Bratiç që nuk arrin të shënojë i vetëm. Por menjëherë pas shënimit të golit, anësori Çokaj, goditet nga një tifoz me gur në kokë dhe i gjakosur merr ndihmën mjekësore. Çokaj i gjakosur nuk mund të vazhdojë më dhe të deleguarit e FSHF-së vendosin që ta zëvendësojnë me Taullarajn, gjyqtarin e katërt të takimit.
Vlonjatët vijojnë të protestojnë në këto 15 minuta ndërprerjeje edhe për atë se pretendojnë se goli ishte në pozicion jashtë loje, ndërkohë që Muça jep urdhrin që të tijtë të qëndronin pasiv në fushë. Ndeshja fillon pas ndërprerjes dhe në 13 minutat e fundit vlonjatët toleruan haptazi, ndërkohë që korçarët shënojnë dy here.
Levi: Fituam me meritë, turp për vlonjatët
Kemi fituar me meritë dhe treguam se jemi një skuadër me karakter. Arritëm të kthenim edhe disavantazhin që kishim në pjesën e parë. Plaku nuk ka qënë në 100%, por gjithsesi e aktivizova në pjesën e dytë, ndërkohë që për Dimon nuk mund të them gjë, pasi ai vetëm një ditë më parë erdhi.
Në qoftë se do ta analizoja ndeshjen, për 76 minuta ishim ne në superioritet të padiskutueshëm, ndërkohë që për Flamurtarin është bërë si metodë pune që të lërë ndeshjet kur shikon se po mundet. Nuk kuptova asgjë nga ajo që ndodhi në fundin e ndeshjes, ndërkohë që vlonjatët nuk duhej të merreshin me atë se çfarë i ndodhi gjyqtarit, pasi janë të tjerët që merren me këto punë. Për mua ishte normale që ndodhi edhe ndërrimi i gjyqtarit dhe nuk kishte asgjë të keqe.
Muça: Ska mbaruar, u luajtën vetëm 76 minuta
Pas përfundimit të takimit të djeshëm në Pogradec, i vetmi që nuk ka pranuar të flasë shumë ka qenë trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, i cili në ato pak fjalë për Sportin shqiptar, ka theksuar: Mos më merrni në intervistë, sepse loja në të vërtetë nuk ka mbaruar.
Nëse do të përfundonte ndeshja, do të flisja, por më vjen keq, pasi ndodhem në dhomat e zhveshjes, por kjo ndeshje për ne nuk ka marrë fund, – kanë qenë fjalët e vetme të Muçës, q
