Nisin kërkesat për pedagogë në universitete
Universiteti i Tiranës (UT) ka nisur aplikimet për shtimin e stafit akademik në departamentet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Burime nga rektorati i UT-së bënë të ditur se konkursi do të zhvillohet për shtatë pozicione të ndryshme departamentesh, si: në departamentin e gjuhës frënge - dy vende; pranë gjuhës italiane - një vend; te gjuha angleze, për filialin e UT-së në qytetin e Sarandës - dy vende; për filialin e UT-së në qytetin e Kukësit edhe dy vende të tjera.
Aktualisht janë përcaktuar afatet e dorëzimit të dosjeve të konkurrimit nga gjithë personat e interesuar, duke filluar nga data 15 qershor deri më 29 qershor 2009. Pas kësaj date, nis faza e përzgjedhjes së kandidatëve që plotësojnë kriteret për tu pranuar. Kandidati për këto vende pune duhet të jetë me gradë ose me titull shkencor, të ketë përvojë në mësimdhënie në shkollat e larta, preferohet të ketë aktivitet botues si dhe të ketë aftësi shumë të mira komunikimi. Brenda afateve kohore të përcaktuara të interesuarit duhet të depozitojnë pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të Rektoratit të Universitetit të Tiranës këto dokumente: kërkesë me shkrim, CV, kopje të diplomës universitare të noterizuar (për diplomat e marra në universitetet e huaja, duhet të dorëzohet fotokopje të noterizuara të certifikatës së njohjes nga organi kompetent), lista e notave, dëshmi të kualifikimeve pasuniversitare ose të gradave dhe titujve shkencor, etj.