E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie lobimi

Gara mes zyrtarëve të lartë të vendit në lobim po zbehet përditë e më shumë. Presidenca e Kosovës dhe Ministria e Jashtme po tentojnë ta mbajnë gjallë këtë aktivitet nëpërmjet miqve dhe duke emëruar konsuj nderi. Opozita ndërkaq këto veprime i quan improvizime dhe përpjekje për të krijuar përshtypjen se po punohet diçka.

Institucioneve të Kosovës duket se u është zbehur interesimi në fushën e lobimit.

Njohjet për vendin kanë stagnuar sërish, e po ashtu edhe vizitat e zyrtarëve më të lartë nëpër kontinente të largëta.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i emëruar në këtë post enkas për të lobuar, kohëve të fundit nuk ka njoftuar shumë për udhëtime që kanë për qëllim lobimin për njohje.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar vizitat nëpër kryeqytete evropiane, por pa ndonjë rezultat konkret deri më tani.

Por qeveritarët megjithatë nuk pajtohen se ka ngecje.

Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi në një prononcim për Express ka mohuar se ka rënë intensiteti i aktiviteteve shtetërore për shtimin e numrit të njohjeve.

“Edhe z. Pacolli po përgatitet edhe për një turne diplomatike. Në atë turne, do të jemi edhe ne dikush prej Ministrisë së Jashtme. Mendoj se nuk është ndonjë rënie e intensitetit, por nuk kemi ndonjë eveniment botëror që i tubon krerët qysh ka qenë në shtator me Sesionin e OKB’së”, ka treguar ai.

Ai ka treguar se Pacolli sërish pritet t’i kthehet Afrikës për të lobuar, pa treguar se kur do të ndodhë një gjë e tillë dhe në cilat shtete.

Sido që të jetë, Presidenca dhe Ministria e Jashtme po përpiqen të bëjnë diçka në fushën e lobimit duke u përpjekur të shtojnë numrin e përfaqësuesve ndërkombëtarë që do të lobojnë për njohje.

Megjithatë, iniciativa e Presidencës për formimin e Grupit “Miqtë e Kosovës” nuk ka shënuar përparime, edhe pse ka filluar në gusht të këtij viti.

Këshilltarja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Presidentes, Garentina Kraja ka thënë se ky institucion është ende në fazën e përpilimit të planit operacional.

“Presidentja tashmë në vizita zyrtare i ka takuar miqtë e Kosovës dhe ka biseduar me ta për këtë iniciativë. Ne vazhdojmë të jemi në kontakt si zyzrë me një mori njerëzish, por ende jemi duke e operacionalizuar këtë plan”, ka thënë Kraja për Express, të shtunën.

Kjo zyrtare e Presidencës ka thënë se janë duke u koordinuar me institucionet qeveritare për nismën e Presidentes Jahjaga.

“Kemi biseduar me homologët tanë, Zëvendësministrin e Jashtëm, Petrit Selimi, jo specifikisht për emërime, por kemi biseduar më shumë për konceptin tonë dhe konceptin e tyre për këto iniciativa. Domethënë, ka bashkërenditje”, ka thënë Kraja.

“Ideja është që grupi të jetë sa më gjithëpërfshirës”, ka shpjeguar ajo.

Në Ministrinë e Jashtme bëjnë të ditur se kanë ndërmend të emërojnë konsuj nderi për përfaqësimin e Kosovës.

Zëvendësministri Gashi thotë se në Grupin e Presidentes mund të bëjnë pjesë edhe konsujt e nderit që emërohen nga Ministria e Jashtme.

“Koncepti “Miqtë e Kosovës” dhe konsujt e nderit janë gjera të ndryshme. Të dyja janë shumë të rëndësishme për Kosovën, por konsujt e nderit janë institucion edhe formal diplomatik që i parasheh Ligji i MPJ’së dhe i Shërbimit diplomatik. Ndërkaq, Grupi “Miqtë e Kosovës” është më shumë një komunitet i personaliteteve që Presidentja e Kosovës iu bën ftesë të jenë anëtar të atij grupi. Por, nuk mund të ketë karakter formal”, ka thënë ai.

Zëvendësministri Gashi ka sqaruar se Ministria e Jashtme do t`i emërojë konsujt e nderit në ato vende që e kanë njohur Kosovën.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë të diplomacisë kosovare do të bëhen përfaqësues të Kosovës dhe do të marrin edhe nënshtetësi.

“Konsujt e nderit do t`i mbrojnë interesat e Kosovës. Ata janë përfaqësues të Shtetit të Kosovës në ato shtete që jetojnë”, ka thënë Gashi.

“Praktika e konsujve të nderit është praktikë që e bëjnë të gjitha vendet e botës. Bëhet fjalë për caktimin e personaliteteve të një vendi që natyrisht që ka marrëdhënie diplomatike me shtetin e Kosovës”, ka shpjeguar Gashi.

Ai ka thënë se konsuj të nderit do të emërohen njerëzit që kanë punuar për Kosovën, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në atë politik dhe ekonomik.

Por gjithë këto aktivitete, opozita i ka cilësuar si improvizime.

Ish-Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni në një prononcim për Express ka folur shkurt për nismat e institucioneve që merren me politikën e jashtme.

“Në mungesë të nismave efektive dhe veprimeve efektive në politikën e jashtme, dilet dhe shpiken lloj-lloj substitutesh dhe improvizimesh për të lënë përshtypjen e aktiviteteve në politikën e jashtme”, ka thënë Hyseni.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›