E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ia prekin Pakon?

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Michael Davenport nuk ka përjashtuar mundësinë që për Veriun e Kosovës të ketë zgjidhje që e tejkalojnë Pakon e Ahtisaarit. Ai ka thënë se Londra është e hapur për të diskutuar të gjitha idetë, përveç pavarësisë së Kosovës.

Britania e Madhe është e hapur për ta diskutuar implementimin e Pakos së Ahtisaarit në pjesën veriore të Kosovës.

Ambasadori britanik në Beograd, Michael Davenport ka deklaruar se implementimi i këtij plani mund të bëhet në mënyra të ndryshme, pa përjashtuar “Ahtisaarin Plus” si zgjidhje.

“Jemi të hapur për të gjitha propozimet në lidhje me atë se si ai plan mund të implementohet. Mendoj se implementimi mund të bëhet në mënyra të ndryshme. Po natyrisht, jemi të hapur për një lloj të tillë të bisedimeve”, ka thënë Davenport për gazetën beogradase “Danas”.

Por diplomati britanik ka shkuar më larg kur është pyetur rreth bisedimeve të mundshme rreth statusit special për Veriun, administrimin ndërkombëtar ose federalizmin e asaj pjese.

Davenport nuk ka përjashtuar asgjë duke thënë se mund të bisedohet për gjithçka që merr parasysh pavarësinë e Kosovës.

“Mund të bisedohet për gjithçka që e merr parasysh pavarësinë e Kosovës. Është me rëndësi që të sigurohet një respektim absolut i të drejtave të pakicave në Kosovë, ku serbët janë më të numërt, edhe në Veri, edhe në Jug të Ibrit”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi britanik në intervistën e tij për gazetën serbe ka folur për vizitën e Ministrit Britanik për Europë, David Lidington në Serbi, të hënën e ardhshme.

Ai ka thënë se temë e bisedimeve me zyrtarët serbë do të jenë integrimet evropiane, ku pritet të theksohet përkrahja për procesin e zgjerimit.

Davenport ka thënë se Lidington do ta inkurajojë Serbinë rreth hapave që duhet t’i bëjë në mënyrë që Këshilli Europian të marrë vendim pozitiv rreth kandidaturës së Serbisë.

“Pas punës së madhe që ka bërë Serbia që nga nëntori i kaluar, kur ka filluar punën në pyetësorin e KE’së, duke përfshirë edhe bashkëpunimin e plotë me Tribunalin e Hagës, ka mbetur edhe shumë punë për t’u bërë, para së gjithash në fushën e bashkëpunimit rajonal, sikur që edhe shkruan në mendimin e KE’së. Do të donim ta shohim Serbinë duke i përmbushur ato detyra në mënyrë që ta sigurojë ‘dritën e gjelbër’ për kandidaturën e saj në dhjetor”, ka thënë ai.

Ambasadori ka thënë se Serbia duhet t’i plotësojë kushtet nëse do ta marrë statusin e vendit kandidat.

“Mendoj se Komisioni ka qenë i qartë. Para ë gjithash duhet të shohim një angazhim konstruktiv në dialogun me Prishtinën në Bruksel, sikurse edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Ai ka theksuar se vendet anëtare të BE’së janë duke pritur që Serbia t’i plotësojë kushtet, sikurse edhe të fillojë çmontimin e strukturave paralele në Veri.

“Për caktimin e datës për fillimin e negociatave, siç e ka potencuar edhe Komisioni Europian, Serbia duhet të fillojë implementimin e marrëveshjeve në shumë fusha, sikurse në telekomunikacion dhe energjetikë.

Serbia duhet të tregojë gatishmëri dhe të kujdeset për strukturat paralele, ekzistimi i të cilave është në kundërshtim me kuadrin e së drejtës ndërkombëtare në Kosovë.

Ekzistenca e tyre nuk mund të vazhdojë dhe duhet të shohim një qasje konstruktive për këtë çështje”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›