Zëri i kolegëve të huaj ambasadorë në Tiranë
Zef Mazi* Ka kohë që mendohem të shkruaj diçka për mediat tona, i frymëzuar kryesisht nga disa kolegë ambasadorë të huaj në Tiranë. Ka kohë që ata i lexoj të shkruajnë shpesh prononcime dhe intervista në media. Kohëshërbimi dhe përvoja ime si shef misioni/ambasador është aq e gjatë dhe intensive sa më lejon që, me mirëdashje, të shkruaj këtë artikull nga një koleg i tyre për disa kolegë. Sipas fjalorit të Oxfordit, diplomacia është menaxhimi i marrëdhënieve ndërkombëtare. Për një numër të madh njerëzish, diplomacia është sinonime me taktin. Por, nuk është qëllimi im të merrem me përcaktime kuptimi. “Lajmëtarët” – pararendësit e ambasadorëve - kanë pasur dy funksione: të vepronin si zëdhënës për sovranet e tyre, dhe të raportonin në qendrat e tyre sesi janë pritur e çfarë u kanë thënë. Në ato kohëra të hershme, ata kanë qenë pak më shumë se transmetuesit e lajmit të armëpushimit ose të ultimatumit para luftës.Në kohën e Rilindjes Evropiane u pa se “mesazherët”, apo të dërguarit e tjerë të posaçëm, nuk ishin të mjaftueshëm për të trajtuar komunikimet e vazhdueshme ndërmjet shteteve. Megjithatë, njohja formale e diplomacisë si profesion i dallueshëm, i veçantë nga politika dhe punët e shtetit, si dhe rregullimi i atij profesioni, duhej të priste Kongresin e Vjenës në 1815 për t’u sanksionuar. Sot funksionet kryesore të diplomatëve vazhdojnë të mbeten pothuajse të njëjta me ato të “mesazherëve” para tyre: ata flasin në emër të qeverive të tyre, me qeveritë tek të cilat janë akredituar dhe raportojnë për çfarë ndodh në ato vende te qeveritë e tyre, duke punuar për të zhvilluar dhe çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat. Ndryshimi midis raporteve të një diplomati dhe atyre të një korrespondenti (gazete, agjenci lajmesh apo stacioni televiziv) është se i pari raporton (nuk boton) ato gjëra që kanë apo mund të kenë ndikim te veprimet dhe interesat e qeverive dhe popullit të vet, ndërsa i dyti raporton gjithçka ai mendon se kënaq ose zbavit lexuesit apo shikuesit e tij. Ndryshimi është jo i vogël!Diskutimet e çështjeve të rëndësishme ndërmjet kombeve zakonisht janë zhvilluar pas dyerve të mbyllura, dhe të mbikëqyrura me roje. Por me ecjen përpara te shoqërive demokratike, opinioni publik bëhet gjithnjë e më me zë, duke kërkuar që të ketë më pak sekrete. Kjo kërkesë arriti kulmin me thirrjen e Presidentit Wilson, në 1918, për “konventa të hapura të paqes, të arritura në mënyrë të hapur”. Jo shumë kohë më pas, ai vetë do ta kuptonte se nuk funksionon krejtësisht kështu. Në Konferencën e Paqes në Paris, atij iu desh të dilte në një vend të veçantë, të mbyllur, për të negociuar veçmas me Llojd Xhorxh-in dhe Klemonso-ne. Askush nuk ka kundërshtim për transparencën, për thënien e gjërave hapur. Diplomatët me ndjeshmëri të lartë e kanë të qartë se është shumë vështirë të realizohen shumë gjera kur ato bëhen hapur. Në çastin kur hidhet në tryezë hapur diçka, nuk është e mundur të tërhiqesh prej saj. Prandaj, negociatat diplomatike kanë qenë, e në masë të madhe, vazhdojnë të jenë, një “art privat”. “Diplomacia e megafonit”, siç edhe njihet në qarqet diplomatike, bart kontradikta jo të vogla.është mirë për diplomatët kur ata pëlqehen. Kjo i lehtëson punën, i jep akses te funksionarët dhe zyrtarët në vendet ku janë akredituar, dhe i bën jehonë reputacionit të tyre (i shton pikët, si thuhet) në kryeqytetet e tyre. E rëndësishme në këtë profesion është që të jesh i besueshëm, jo i pëlqyeshëm. Marrëdhëniet e mira në diplomaci janë mjet për të arritur qëllimin. Në cilindo vend ku shërben një ambasador ndodhin gjëra pozitive dhe më pak pozitive, ndodh që disa gjëra ecin më shpejt e më mirë, disa të tjera jo edhe aq sa dhe si dëshirohet. Do të mjaftonte të ndiqej debati parlamentar në Britani, kryesisht pyetje-përgjigjet e Kryeministrit çdo të mërkurë, dhe debati mes tij dhe kryetarit konservator të opozitës sot, për të kuptuar se nuk është aspak e lehtë për një ambasador të komentojë apo të japë gjykim nga është e drejta. Më rëndë akoma, të japë leksion se si duhet bërë më mirë kjo apo ajo punë. Shumica, pozita në Britani thotë se i ka bërë të gjitha gjërat mirë, opozita thotë se asgjë nuk është bërë mirë! Unë e di shumë mirë që ndryshimi midis nivelit të demokracisë në Britani dhe Shqipëri është jo i vogël, për shumë e shumë faktorë dhe arsye. Di dhe njoh gjithashtu rrethanat historike të cilat e kanë vendosur rolin dhe peshën e diplomatit të huaj në ambientin shqiptar, në një pozitë specifike dhe të ekspozuar ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Sidoqoftë, thelbi i çështjes, në të gjitha rastet, atë shqiptar, britanik, amerikan apo gjerman, mendoj se është i njëjtë: a duhet të komentojnë, të japin sugjerime ambasadorët e huaj apo duhet thjesht t’u përmbahen parimeve dhe kodit të profesionit që ushtrojnë? Marrja përsipër e komenteve dhe dhënia e këshillave e porosive, nëse mund të quhen të tilla, mund të ndodhë, ndoshta në ndonjë rast shumë specifik, por gjithnjë me shumë takt dhe në takime dypalëshe. Unë kurrë nuk kam lexuar komente apo sugjerime mësimdhënëse në media nga ambasadorët e akredituar diku gjatë 19 viteve që jam në të tilla poste jashtë vendit. Reagimi publik, veçanërisht kur përsëritet, dhe me ton e takt jo të zakonshëm për këtë profesion, nuk jam i sigurt sa i shëndetshëm është. Për të gjitha palët, ambasadorët në përgjithësi e kanë një kufi tej të cilit pushteti i deklaratës të tyre shfuqizohet, veçanërisht kur dhe nëse merr ngjyra politike. Pyes veten: nuk di sesa prej ambasadorëve të huaj në Tiranë mund të shkruanin në mediat e tyre çfarë ata mendojnë se është mirë dhe jo mirë në punët dhe politikën e vendeve të tyre, apo nëse u pëlqen apo jo ajo që ndodh atje! Nuk di sa prej tyre do të lejoheshin nga sistemi i shërbimit të tyre dhe nga politika e vendeve të tyre të luanin rol në politikën e vendeve të tyre? Unë kam bindjen se, nëse një ambasador diku do të bënte prezent në media ato që ai mendon apo edhe mund të ketë instruksion të përgjithshëm nga kryeqyteti i tij, për zhvillimet në politikën e brendshme të vendit ku është i akredituar, ai do të thirrej pa dyshim me urgjencë në Ministrinë e Jashtme, ku do t’i kujtohej posti dhe pozicioni që ka në raport me zhvillimet e brendshme dhe aktorët kryesorë që i vënë në lëvizje ato! Natyra e punës së një titullari diplomatik është latuar në një histori të gjatë shekullore marrëdhëniesh diplomatike mes shteteve. Ky profesion ka si rregull të pashkruar parimin që: nëse ambasadori ka për të thënë diçka, dera e institucioneve të kontaktit është gjithmonë e hapur, ai është i mirëpritur për bisedime, shkëmbim mendimesh, zyrtarisht apo edhe miqësisht, si përfaqësues i një vendi mik, partner, etj., në një vend dhe ambient ku duhet e mira dhe ndihmohet tjetri. Nuk dua të vë në dyshim se kolegë të mi ambasadorë në Tiranë nisen nga qëllime të mira e jo nga protagonizmi. Por kur lexoj disa herë komente të ndryshme që ndonjë titullar diplomatik bën rreth ngjarjesh e situatash të ngushta e specifike, kam ndjesinë se jo gjithmonë ajo që thuhet reflekton qëndrimin e politikanëve që drejtojnë vendeve respektive të tyre ndaj Shqipërisë. është e vërtetë që shtetet, marrëdhëniet ndërmjet tyre, në një moment të caktuar, i bazojnë kryesisht tek raportimet që vijnë nga përfaqësitë e tyre. Por, sa di unë, sido të jenë ato raportime, në asnjë takim në nivel të lartë politik, dhe në kancelaritë me të cilët kemi takime të rregullta, profesionale, shumë të mira dhe të shpeshta, nuk lihen të kuptohen spostime kaq të shpeshta dhe milimetrike në politikën ndaj Shqipërisë, në cilindo kah qofshin ato! Përkundrazi, flitet për dëshirën konstante për të ndihmuar, për të parë që gjërat të ecin sa më mirë, shprehet mbështetje, jepet edhe ndonjë shqetësim dhe sugjerim, që, sipas rregullave dhe praktikave, përcillen aty ku duhet. Kjo është rruga më e mirë, kjo është praktika e vjetër dhe e re, për çka janë krijuar, funksionojnë dhe përdoren shërbimet diplomatike. Mundësitë dhe forcën e arsyes politike, si dhe përvojën kohore për të kuptuar dhe materializuar mënyrat, rregullat dhe etikën e funksionimit demokratik,mendoj se në shqiptarët po fillojmë ta kemi. Ajo që duket se mungon është vetëm pak besim reciprok, që nuk fitohet në distancë, por duke u afruar, duke dialoguar në tavolinë, në një proces që mund të jetë i vështirë, por jo i pamundur. Kam përshtypjen se në nxitjen e afrimit dhe dialogut mes palëve, titullarët e huaj të përfaqësive diplomatike në Tiranë, kanë një rol të rëndësishëm. Por gjithmonë në respekt të dinjitetin e integritetit të vendit tonë. Unë kam besim të madh te vendi im, te populli im, edhe te politika jonë, e mbi të gjitha, tek e ardhmja jonë. Atë të gjithë e duam njëlloj. Kam më shumë besim te kto vlera e asete, që i kemi brenda Shqipërisë, se tek qëndrimet dhe këshillat ndoshta shpesh personale që na vijnë nga jashtë. Vendin tonë nuk e do njeri më shumë se ne. Kolegët e nderuar ambasadorë, ashtu si çdo ambasador, sot janë aty, nesër do të shërbejnë diku tjetër. Ndoshta atyre nuk do t’i bjerë kurrë më të kenë të bëjnë me Shqipërinë. Por ata marrin me vete përshtypje që i artikulojnë dhe nuk i artikulojnë për vendin ku kalojnë disa vite shërbimi. Kjo është pjesë përbërëse e këtij profesioni. është diçka e mrekullueshme kur një ambasador largohet me përshtypje realisht sa më të mira nga populli dhe vendi ku ka shërbyer me modestinë dhe taktin e këtij profesioni të bukur. Unë dëshiroj të besoj se kolegët ambasadorë të huaj në vendin tim do të pajtohen me këto mendime qëllim-mira edhe të hapura e transparente. *Ambasador i RSH në Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës