Ministri Tafaj:Në 2010 sistem i ri për diplomat e masterat
Nga 1 janari i 2010 universitetet publike do të kenë të drejta të administrojnë të gjitha paratë nga të ardhurat dytësore dhe tarifat e shkollimit. Pos kësaj, priten një sërë reformash të tjera, sa i përket klasifikimit të diplomave e masterave. Këto deklarata i bëri dje ministri i Arsimit dhe i Shkencës Myqerem Tafaj, gjatë konferencës së fundvitit. Sipas tij, do të ketë ndryshime edhe në disa nene të ligjit të Arsimit të Lartë që lidhen me titujt e diplomave. “Do të kemi një sistem shumë të thjeshtë, sistemi bachelor, master dhe doktoratë. Niveli i masterit do të ketë mastera profesionalë, por ne do të heqim masterin e nivelit të dytë. është një nivel i cili ka shkaktuar një problem në sistemin e arsimit të lartë”, tha Tafaj. Sipas tij, akreditimi i universiteteve publike dhe private pritet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm, ku agjencia gjermane do të ketë bërë klasifikimin e diplomave të studentëve. Faza e parë e këtij procesi ka një kosto prej 250 mijë dollarësh dhe është mbështetur nga Banka Botërore. Nuk do të jenë vetëm universitetet që do të përfshihen në një fazë akreditimesh. Por edhe të gjitha shkollat e mesme, të cilat do të vlerësohen në bazë të sistemit të Pizës. Sa i përket arsimit të mesëm, ai do të bëhet i detyruar vetëm pas vitit 2013. Kreu i arsimit Myqerem Tafaj, u shpreh se gjatë këtyre viteve duhet të studiohen kapacitetet, si nga ambientet, po ashtu dhe nga burimet njerëzore. Ministri theksoi se do të ndiqen dhe modelet që kanë vendet e rajonit. “Deri në vitin 2013 detyra jonë është të përgatisim kapacitetet. Pastaj do shohim si do të reagojë publiku shqiptar. A do të jetë gati publiku shqiptar që të merret ky vendim politik, që nuk do të jetë një vendim i lehtë, por një vendim i rëndësishëm dhe shumë afatgjatë”, tha Tafaj. Ai ka deklaruar dhe nisma të tjera të ministrisë që drejton, ku në veçanti është dhe ajo për ndryshimet që do të bëhen në reformën e altertekstit. Tashmë nuk do të ketë një konkurrim mes shtëpive botuese, por mes autorëve të teksteve, ku gjithçka do të jetë transparente. Një objektiv tjetër afatmesëm është edhe ai skemës së financimit në arsimin e lartë. Tashmë është ngritur grupi i punës dhe po shihen modelet që do të adaptohen. Synimi i skemës së re është afrimi sa më shumë me studentin dhe një autonomi më e madhe e shkollave të larta. Sa i përket maturës shtetërore, ajo nuk do të pësojë ndryshime të mëdha gjatë vitit që vjen. Sistemi i konkurrimit të kandidatëve për në universitete do të jetë thuajse i njëjtë. Nga ana tjetër, ministri i arsimit ka premtuar edhe rritje të pagave për arsimtarët, por kjo në funksion të kualifikimit të tyre.