E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borchardt: Luftoni korrupsionin të fitoni vizat

 Ambasadori gjerman në Shqipëri deklaron se në pranverën e 2010-s Shqipëria duhet të ketë rritur luftën ndaj korrupsionit, përpara kontrollit të BE-së, pasi të dhënat e deritanishme janë negative për të. Deklarata e tij u bë gjatë dhurimit, që bëri në emër të qeverisë gjermane për policinë shqiptare në pajisje logjistike, për rritjen e efikasitetit ndaj krimit të organizuar. Ambasadori gjerman, Bernd Borchardt deklaroi se, Shqipëria ka ecur mirë në projektin e dokumenteve të identifikimit, të cilat janë të sigurta, por jo në atë të luftës ndaj korrupsionit. “Në pranverën e vitit të ardhshëm në Shqipëri do të vijë sërish një mision i BE-së, i cili do të shikojë stadin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ju jeni në dijeni për lajmet negative të dhëna në nëntor për “Transparency International”, për sa i përket luftës kundër korrupsionit. Gjermania do ju mbështesë edhe në këtë sektor, për të arritur progres. Por, duhet që mision i ardhshëm i BE-së në Shqipëri të gjejë progresin e duhur”, u shpreh Borchardt. Shteti gjerman i dorëzoi policisë dhe doganave, automjete dhe kompjuterë të cilësisë së lartë me vlerë prej 1 milion eurosh në kuadër të një ndihme që ajo ka filluar që nga tetori i 2008-ës, i cili do të jetë në total prej 130 milionë  euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›