Kreu i komunës padit qeverinë
Fatos MahmutajRikthehet në detyrë kryekomunari i Kolshit të Kukësit, i shkarkuar një vit e gjysmë më parë. Lajmin e bëri të ditur dje vetë kryekomunari, pasi është kthyer sërish në vendin e punës, nga i cili u shkarkua më 30 korrik të vitit të kaluar me një vendim të Këshillit të Ministrave. Tashmë bashkë me rikthimin në detyrë, kryekomunari Abedin Oruçi ka kërkuar dëmshpërblim 500 mijë euro, si dëm pasuror dhe jo pasuror, që i është shkaktuar nga pushimi i padrejtë nga detyra. "Me anë të këtij njoftimi, kryetari i komunës Kolsh, Abedin Oruçi, i bën me dije opinionit publik, se në datë 8 qershor 2009, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për kthimin e tij në detyrë pas marrjes së pafajësisë nga Gjykata e Prizrenit, Kosovë. Abedin Oruçi, Kryetar i Komunës Kolsh me tre mandate, u shkarkua nga Këshilli i Ministrave, më datë 30 korrik 2008, për shkak te ngritjes së një akuze penale nga autoritetet kosovare", thuhet në një deklaratë të shpërndarë dje nga avokati i kryekomunarit. Sipas tij, akuza rezultoi e pavërtetë dhe Gjykata e kosovare e deklaroi të pafajshëm Abdein Oruçin. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mori në shqyrtim ankimin e Abedin Oruçit, për shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij. Kjo gjykatë, me vendimin numër 15, datë 8 qershor 2009, e shpalli antikushtetues shkarkimin duke urdhëruar njëkohësisht kthimin e tij në detyrë. Aktualisht, ai ka marrë detyrën, dhe nëpërmjet avokatit të tij ka nisur procedurat për kërkimin e dëmshpërblimit moral në masën 500 mijë euro", thuhet në njoftimin për media të shpërndarë dje nga kryekomunari. Shkarkimi i tij u bë menjëherë pasi autoritetet policore kosovare publikuan lajmin se Oruçi ishte arrestuar në qytetin e Prizrenit. Motivacioni i shkarkimit ishin shkeljet e rënda ligjore në detyrë të ish-kryekomunarit, ndërkohë që vendimi i qeverisë ka hyrë në fuqi menjëherë. Oruçi u ndalua në mesin e muajit korrik në Kosovë së bashku me një femër, e cila u cilësua nga policia si bashkëpunëtore e tij nën akuzën e trafikimit për prostitucion. Por pak ditë pas arrestimit, kryekomunari u lirua për mungesë provash dhe pak më vonë ai mori pafajësinë nga gjykatat kosovare. Menjëherë pas kësaj ai iu drejtua gjykatave shqiptare.