E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtori i “Eagle Mobile”: Arritëm 600 mijë abonentë

 Nertila MahoPërmirësimi i cilësisë, vënia në jetë e projektit “Number Portability”, si dhe përkushtimi ndaj Mjedisit për sa i përket aspektit social. Këto janë disa nga objektivat që Eagle Mobile ka vendosur për vitin e ri 2010. Drejtori i Përgjithshëm i kësaj kompanie, Ali Taskin, në një intervistë për gazetën “Panorama” zbulon idetë dhe projektet e reja që do të realizohen. Duke e cilësuar 2009-ën si një vit të suksesshëm për Eagle, kur numri i abonentëve ka kaluar 600 mijë, drejtori Taskin thekson se objektivi ambicioz i 2010-ës është ofrimi i shërbimeve sa më cilësore dhe arritja e një numri prej 900 mijë abonentësh. Sa është rritur Eagle Mobile gjatë vitit që po lëmë pas, krahasuar me vitin 2008? Kompania Eagle Mobile ka thyer tërësisht parashikimet në mënyrë pozitive me rritjen e saj. Eagle hyri në 2009-ën si një operator vetëm 9-muajsh, me 260 mijë abonentë që zotëronte 9% të tregut në Shqipëri. Gjatë vitit 2009, Eagle vazhdoi rritjen me hapa të shpejtë dhe sot, duke lënë pas 2009-ën e duke hyrë në 2010-ën, ju konfirmoj me kënaqësi se Eagle Mobile ka arritur 600 mijë abonentë dhe 14% të tregut të telefonisë celulare. Theksoj me kënaqësi se gjatë vitit që shkoi, Eagle Mobile fitoi tenderin për të dhënë shërbime për institucionet publike. Ne kemi sjellë shërbimet më të mira me tarifat më ekonomike për ta.     Një përshkim të situatës aktuale dhe a jeni të kënaqur? Ndryshimi që nisi në vitin 2008 me futjen e Eagle Mobile në fushën e telekomunikacionit, dhe që në vitin 2009 hodhi hapa drejt një konkurrence të fortë. Pavarësisht se opinioni publik shqiptar është njohur me telefoninë celulare që në vitin 1999, vetëm në 2009-ën përjetoi konkurrencën e vërtetë lidhur me çmimet dhe shërbimet e ndryshme, si dhe cilësinë. Me risitë që sollëm, shërbimet cilësore dhe politikat e çmimeve të drejta që aplikuam për këto shërbime, u bëmë operatori që solli ndryshimet dhe nga ky fakt jemi të kënaqur. Mirëpo kemi një çështje me rëndësi mjaft të madhe, që pavarësisht se prisnim të ndodhte në vitin 2009 nuk u realizua. Ky ndryshim i pritur ishte “Number Portability”. Mbartja e numrit e ka të domosdoshëm një projekt që të ndihmojë kalimin sa më të shpejtë në praktikë në vitin 2010. Ashtu sikurse edhe në vende të tjera të botës, nëpërmjet këtij shërbimi konsumatori shqiptar do të mund të përdorë shërbimet celulare të operatorit që preferon nëpërmjet numrit që ka marrë nga një ndër operatorët celularë, pa i ndryshuar asgjë numrit të tij. Ky projekt do të sjellë më shumë cilësi dhe konkurrencë në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Do të nxjerrë fitues përdoruesit dhe operatorët që ofrojnë shërbimet më të mira. Ne, si Eagle Mobile, i besojmë vetes në këtë pikë dhe mbështesim ardhjen sa më të shpejtë në Shqipëri të këtij shërbimi.  A ka arritur Eagle Mobile të realizojë objektivat e vendosura në fillim viti?  Në vitin 2009 kriza ekonomike globale, që ndikoi shumë shtete, ndikoi edhe Shqipërinë duke pasur efekte edhe në treg.  Pavarësisht kësaj, kompania Eagle Mobile ka arritur qëllimet e saj. Në vitin që po lëmë pas, Eagle Mobile arriti të kthejë në pozitive përfitimet operacionale - EBIDTA.  Cilat janë disa nga strategjitë e planifikuara për 2010? Në vitin 2010 nuk do të bëhet ndonjë ndryshim në strategjinë tonë themelore. Eagle Mobile do të vazhdojë rritjen me shpejtësi, si në pjesën e tregut, ashtu edhe në të ardhura. Ndërsa rruga që do të ndjekim për të vazhduar këtë strategji: do t’i qëndrojmë më pranë konsumatorëve shqiptarë duke i kuptuar më mirë ata dhe duke ju sjellë lehtësi në jetën e tyre me shërbimet e reja që do të ofrojmë. Me pak fjalë, besojmë se në vitin 2010 do ia dalim mbanë të kënaqim klientët tanë, duke u përkujdesur më shumë për ta.  Për sa i përket marketingut, target gupeve, ku keni dashur të shtrini më shumë ndikim?  Në strategjinë tonë të marketingut, qoftë për tregun individual qoftë në atë institucional, ekziston koncepti i ndërthurjes së tarifës më të përshtatshme me teknologjinë më të mirë, sipas nevojës së klientit. Kështu që në krye të vendimeve tona të marketingut bëjnë pjesë kërkesat e abonentëve pasi kënaqësia e tyre zë një vend kryesor. Ne kryejmë anketa dhe sondazhe të përdoruesit e Eagle Mobile dhe sipas tyre hartojmë strategjinë dhe kryejmë zbatimin e saj.    Cilët janë klientët mbizotërues që preferojnë Eagle, flasim këtu për grupmosha apo edhe për shtresa sociale? Ne si Eagle Mobile kemi si “target grup” të gjithë ata që janë të hapur ndaj ndryshimeve, ndjekës të produkteve më të reja, ata që duan më të mirën me çmimet më të mira. Kjo po krijon një profil klienti, që i përket një grupmoshe të re dhe mesatare, dhe numri i tyre rritet vazhdimisht.  Keni bërë një sërë ofertash gjatë këtij viti, madje keni marrë edhe një iniciativë mjaft kurajoze, duke bërë si imazh të kompanisë tuaj një nga shqiptarët më të famshëm të Hollivudit, si James Belushi, çfarë impakti kanë pasur gjithë këto praktika për Eagle? Krahas praktikave më të fundit të teknologjisë që sollëm për të gjithë me çmimet më të favorshme, edhe në fushën e reklamave kemi hedhur hapa unikë. Qëndrimi vizionar i Eagle Mobile duket edhe nga ofrimi i një ylli hollivudian, James Belushi, si fytyra e re e markës sonë. Fushata jonë e këtyre reklamave ka rezultuar mjaft e suksesshme dhe për këtë kemi marrë shumë komplimente. Këta spote të fushatës sonë do të vazhdojnë. Eagle, në tërësi, ka promovuar dhe promovon imazhin e Shqipërisë, kulturën dhe turizmin në reklamat e përgatitura. Jemi krenarë që e bëjmë këtë.  ç’mund të na thoni për përgjegjësisë sociale të kompanisë? Ju kemi parë aktivë në këtë drejtim? Duke ju falënderuar për këtë intervistë, duhet t’a falënderoj edhe njëherë tjetër Panoramën. Kjo e përditshme e rëndësishme është pjesë e projektit tonë në 25 kompani, biznese, universitete, shkolla e aktorë të medias në mbështetje të fëmijëve jetimë. Ne e shpallëm 2009-ën si Vit të Jetimëve. Dhamë 20 bursa të plota që do të vazhdojnë 3 ose 4 vjet, në varësi të gjatësisë së shkollës së tyre. Kemi kryer shumë projekte në 2009-ën për ta dhe jemi të gëzuar që po sjellim një kulturë të re të përgjegjësisë sociale në Shqipëri. Përfitoj nga rasti të publikoj me kënaqësi edhe nismën e re të 2010-ës. Për Eagle Mobile, ky do të jetë Vit i Mjedisit për ne. Mendojmë se kjo fushë ka nevojë të madhe për mbështetje, sepse mjedisi është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Qëllimi juaj për 2010-n?Të bëhemi liderë të tregut të telekomunikacionit në të gjitha drejtimet. Dhe ju garantoj se kjo do të ndodhë shpejt. Ne synojmë të anëtarësojmë në familjen Eagle 900 mijë abonentë në vitin 2010, pra duke shënuar një rritje prej 50 për qind dhe jemi të sigurt që do ta arrijmë këtë. Përfitoj nga rasti t’i uroj gjithë abonentët Eagle dhe gjithë shqiptarët Gëzuar Festat e fundvitit dhe një 2010 sa më të begatë e të suksesshme. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›