E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, paralel me rinovimin e KLD-së

Flet deputeti i PD-së, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj


Njëherazi me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, duhet të nisë puna për zëvendësimin dhe brenda KLD-së. Ish ministri i Drejtësisë, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i bën thirrje gjyqtarëve të mbledhin konferencën dhe zgjedhin 4 anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Duket në këtë rast që ka një lloj vonese, së paku për dy prej anëtarëve, që ka shkuar në një vit. Ajo çfarë do të duhet besoj unë, për të zgjidhur këtë lloj ngërçi, është që vetë asambleja e trupës gjyqësore të ndërgjegjësohet mbi këtë lloj mos rregullimi sipas urdhërimeve kushtetuese, të mblidhen”, deklaroi Alibeaj. Ish ministri i Drejtësisë, njofton se së shpejti ligji për konferencën gjyqësore, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, do të jetë pjesë e axhendës së Kuvendit. Por mungesa e këtij ligji, sipas tij nuk duhet të shërbejë si alibi për përçarjen në radhët e asamblesë së trupës gjyqësore që ende nuk është mbledhur. “Do të jetë një çështje që do të jetë në kalendarin e punimeve të Parlamentit por që kjo nuk është kurrsesi pengesë për të proceduar në zgjedhjen e anëtarëve të KLD", vijoi Alibeaj. Deputeti i mazhorancës ka dhe një koment për zërat kundër vetë organizimit të gjyqtarëve në KLD. Sipas tij, është e jashtëligjshme prania në punimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e 2 anëtarëve të cilëve prej 1 viti i ka mbaruar mandati. “KLD është një derivat i vullnetit të asamblesë së gjyqtarëve. Nuk mund nëse është e pranueshme që disa anëtarë të KLD apo dikush tjetër jashtë KLD të ketë të drejtën të qortojë sjelljen e trupës gjyqësore”, tha më tej ai. Në fund të muajit, 2 anëtarë të tjerë të KLD do të jenë pa mandate.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›