Kryeministri Berisha takohet në rezidencën qeveritare "Rideau Gate" me zv. Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin Claudio Bisognero

- Zv. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: NATO përkrah dhe mbështet progresin e reformave në Shqipëri si dhe nxit stabilitetin e dialogut politik dhe ecurinë ekonomike të vendit.
Kryeministri Berisha, në vazhdim të vizitës së tij në Kanada, pati sot një mëngjes pune në rezidencën qeveritare "Rideau Gate", me z.Claudio Bisognero, zv. Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha shprehu se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një nga prioritet më parësore për vendin tonë, kjo për disa arsye. "Shqipëria, si një vend i privuar për 50 vite nga liritë dhe të drejtat themeltare të njeriut, sheh tek NATO një përkrahës dhe mbrojtës të tyre në mbarë botën. Gjithashtu mbështetja e NATO-s për Kosovën dhe vendet e ish-Bllokut komunist është një tjetër aspekt pse 94% e shqiptarëve përkrahin integrimin në NATO." - u shpreh kryeministri.
NATO, tha më tej Kryeministri Berisha është një aleancë politiko-ushtarake, ndaj edhe reformat që Shqiperia po zhvillon janë në këto drejtime. "Shqipëria është një vend me pluralizëm të konsoliduar, media të lira, tolerancë fetare dhe etnike" - tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha e njohu z. Bisognero me ecurinë e reformave në vend, me reformën në drejtësi, ne sistemin zgjedhor, në modernizimin e forcave të armatosura si dhe me luftën e pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Më tej, Kryeministri u ndal në zhvillimin ekonomik të vendit, i cili këtë vit shënon një rritje prej 70 % të turizmit, si dhe vendimin që në janar të vitit 2008 Shqipëria do të jetë vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë.
Nga ana e tij, zoti Bisognero e përgëzoi Kryeministrin Berisha për përparimet e Shqipërisë në këto 2 vite. Ai shtoi se reformat ku Shqipëria po punon me hapa të shpejtë janë pikërisht ato që NATO kërkon dhe vlerëson më shumë.
“Ne shohim qartësisht progrese të mëdha në arenën politike në Shqipëri, gjithashtu puna që ju po bëni me reformën zgjedhore është mjaft e rëndësishme për ne. Ne vlerësojmë edhe rritjen e buxhetit për forcat e armatosura me 2% të GDP dhe përpjekjet tuaja për ta kthyer atë në një ushtri të vogël por profesionale”, vijoi ai.
"Prioriteti që ne kemi për Afganistanin na bën t’ju jemi mirënjohës për angazhimin e ushtrisë tuaj atje edhe me operacionin “Omlete” të trajnimit."- u shpreh z.Bisognero.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për situatën delikate nëpër të cilën po ecën çështja e statusit të Kosovës dhe u ra dakord në mendimin se zgjidhja sipas Planit Ahtisaari është hapi final për paqen në Rajon dhe do krijojë baza të fuqishme për këtë paqe.
"NATO përkrah dhe mbështet progresin e reformave në Shqipëri, si dhe nxit stabilitetin e dialogut politik dhe ecurinë ekonomike të vendit tuaj" - tha z.Bisognero.