Zgjatet afati i paraburgimit për Altin Koren

Gjykata e Apelit ka zgjatur afatin e paraburgimit për Altin Koren I cili akuzohet për trafik droge në SHBA. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës për Koren ndërsa më 14 tetor do të japë vendimin për ekstradimin e tij në SHBA. Më herët gjykata e Tiranë vendosi që i akuzuari për trafik droge, Altin Kore të ekstradohet në Shtetet e bashkuara të Amerikës për tu përballur me drejtësinë amerikane.
Altin Kore, 35-vjeç, akuzohet në SHBA për trafik kokaine, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, urdhër i lëshuar më 3 mars të këtij viti.
Kore akuzohet për trafikimin e 25 kilogramëve drogë të llojit kokainë. Gjykata e Tiranës ka vendosur një masë sigurie me 60 ditë paraburgim sa të bëhen gati procedurat e ekstradimit.
Ky shtetas është shpallur në kërkim pasi në 14 gusht 2008 Gjykata e Teksasit, SHBA, kishte lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij për akuzat e “trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “mbajtje pa leje të armëve”. Kokaina transportohej përmes rrugëve detare nga kontinenti amerikan në Evropë. 35 vjeçari u arrestua teksa po kthehej nga Turqia.