Pedofilia, 35 vjet burg për Kristodulun e Arnolds
Shpallen fajtorë dhe dënohen me 35 vjet e gjashtë muaj burg dy pedofilët anglezë, Dino Kristodulu e Robin Arnold, si dhe dënohen që pas përfundimit të dënimit të nxirren jashtë territorit shqiptar si persona të padëshirueshëm. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i Gjykatës së Tiranës, i shpallur dje nga gjyqtarja Shefike Demiraj, e cila dënoi me 20 vjet burg Dino Kristodulun dhe 15 vjet e 5 muaj burg të pandehurin Robin Arnold. Të bindur në pafajësinë e tyre, ndonëse në adresë të tyre ishin disa dëshmi abuzimesh, dy pedofilëve u kanë ngrirë buzëqeshjet në fytyrë kur përkthyesi u interpretoi fjalët e gjyqtares Demiraj, e cila i shpalli ata fajtorë. Ndaj këtij vendimi kanë reaguar menjëherë të dy të pedofilët, ndërkohë që njëri prej tyre, Kristodulu ka braktisur sallën e gjyqit me akuza kundër trupit gjykues. Procesi pati një dinamikë gjatë zhvillimit të tij, pasi kundër të pandehurit Kristodulu dhe në një rast kundër të pandehurit të dytë, Arnold, kanë dëshmuar me radhë gjithë fëmijët e abuzuar prej tyre. Të gjetur si me qiri nga gjykata, fëmijët endacakë kanë ardhur në sallë dhe, në kujdesin e psikologes dhe përmes një video-konference, ata kanë rrëfyer me detaje abuzimet ndaj tyre. Madje, njëri prej fëmijëve të abuzuar jetonte në Amerikë ku dhe studionte dhe ka qenë i fundit që ka dëshmuar dhe ka “fundosur” me dëshminë e tij të pandehurin Arnold. Me insistimin e gjyqtares së kësaj çështjeje, Shefkije Demiraj, Prokuroria e Përgjithshme në kohë rekord ka sjellë nga SHBA-ja dëshmitarin, duke i bërë një surprizë të pandehurit dhe avokatëve të tij.
Akuzat
Sipas akuzës, dy të pandehurit gjatë punës së tyre si vullnetarë në qendrën bamirëse "Fëmijët e tij" në kryeqytet, të drejtuar nga administratori David Braun, kanë abuzuar me fëmijët që gjenin strehë për të banuar dhe ushqyer në atë qendër. “I pandehuri Dino Kristodulu ka abuzuar me dy të mitur të moshës 6 dhe 7 vjeç, në kohën kur këta të mitur jetonin dhe banonin në qendrën bamirëse "Fëmijët e tij" që ndodhej në rrugën "Dervish Hekali", në banesën private me nr. 32, për shkak të kushteve të këqija ekonomike pranë familjeve të tyre. Ndërkohë, i pandehuri Robin Arnold gjatë qëndrimit të tij në këtë qendër bamirëse ka abuzuar seksualisht me një të mitur të moshës 6 vjeç", - është shprehur një seancë më parë përfaqësuesja e akuzës. Të pandehurit, sipas akuzës, përveç abuzimit seksual, kanë përdorur edhe sende të forta për të kryer veprën penale, si pinca, e metoda të tjera sadiste. Këto abuzime, sipas prokurorisë, janë kryer brenda ambienteve të kësaj qendre që ndodhej në rrugën "Dervish Hekali" në kryeqytet gjatë periudhës 2003-2005, kohë që dy të pandehurit ishin vullnetarë bamirës në këtë qendër. Sipas prokurores, "nga hetimi gjyqësor është provuar dhe faktuar me anë të dëshmitarëve dhe vetë viktimave, si dhe nga provat shkresore e materiale se të pandehurit Dino Kristodulu dhe Robin Arnold kanë konsumuar veprën penale të "marrëdhënieve homoseksuale me të mitur" në bashkëpunim". Të pandehurit Dino Kristodulu 45 vjeç dhe skocezi Robin James Arnold, 56 vjeç, janë ekstraduar nga Londra në maj të 2008 për t’u gjykuar lidhur me abuzimet seksuale të kryera ndaj të miturve në shtëpinë e fondacionit "Fëmijët e tij" (His Children), në bashkëpunim me administratorin e kësaj qendre David Braun, që tashmë është dënuar me 20 vite burg.
Dëshmitë
Fëmijët, ashtu si gjatë procesit në ngarkim të kreut të fondacionit “Fëmijët e tij”, David Braun, kanë rrëfyer me detaje dhunën seksuale të ushtruar ndaj tyre. Ata nuk kanë nguruar në seancë t’u përplasin këtë të vërtetë dy të pandehurve. Më të shumtat e dëshmive akuzonin Dinon si një njeri të egër, i cili jo vetëm abuzonte ndaj tyre, por i rrihte edhe me një shkop, ndërkohë që për të mos u marrë vesh çfarë ndodhte dhe për të mos u dëgjuar zërat e fëmijëve, ai u vinte shtupa në gojë apo ua mbyllte me ngjitës. Ndërkohë, edhe Arnold në një rast ka abuzuar, ndërkohë që nga akuza rezulton se vetë ky i pandehur është një person i dhunuar seksualisht në fëmijëri. Para se të vinte në Shqipëri, përmes internetit, ai ka mësuar në website-n e fondacionit se aty gjendeshin fëmijë të dhunuar dhe të strehuar në këtë shtëpi. Pjesa më e madhe e fëmijëve, sipas akuzës, kanë qenë të dhunuar më parë se të strehoheshin në qendër.
Ironia
Kristodulu: Më jepni pafajësinë, dua të ndihmoj familjet e përmbytura
Ironike kërkesa e të pandehurit Dino Kristodulu, i cili deri në fund u përpoq të bënte para gjykatës misionarin e paqes dhe të personave në nevojë. “Më shpallni të pafajshëm, pasi dua të shkoj të jap ndihmën time për familjet e përmbytura në Shkodër”, - u shpreh i pandehuri, i cili është përpjekur gjatë gjithë seancës së djeshme, ku u tha edhe fjala e fundit e tyre, të shiste veten si një person shumë fetar dhe që nuk ka lidhje aspak me abuzimet seksuale për të cilat akuzohet. Deri në fund të seancës para shpalljes së vendimit, edhe pse mbi të rëndonin akuzat më të shumta nga fëmijët e dhunuar, Kristodulu pretendonte se do merrte pafajësi. Shpresa e kësaj pafajësie apo mendimi se do prekte gjykatën duke u shprehur për ndihmën e familjeve të përmbytura në Shkodër, bënë që reagimi i tij në momentin e shpalljes së vendimit të ishte mjaft demonstrativ, duke u larguar nga salla e gjyqit dhe duke akuzuar gjyqtarët.