E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia: Komisioni hetimor ndaj Ramës, në Kushtetuese

Drejtoresha e Drejtorisë Juridike e Bashkisë së Tiranës, argumenton arsyet se pse komisioni është antikushtetues

TIRANË- Nisma më e fundit e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Drejtoresha e Drejtorisë Juridike e Bashkisë së Tiranës, Migena Vishko, ka publikuar dje argumentet ligjore që vërtetojnë se ngritja e komisionit hetimor nga ana e mazhorancës është i jashtëligjshëm dhe antikushtetues.

"Ky komision hetimor është miratuar në kundërshtim flagrant me ligjin dhe detyrimisht nuk mund të prodhojë asnjë pasojë ligjore. Ngritja e komisionit vjen në kundërshtim të plotë me nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 për "Organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", i cili përcakton se: "Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit". Aktualisht jemi në muajin e fundit të mbarimit të mandatit të Kuvendit",- tha dje Vishko, duke vijuar me argumente të tjera ligjore.

"Komisioni hetimor, i ngritur ditën e enjte është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet themelore të sanksionuara në të, duke përfshirë: parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve (neni 7), si dhe parimin e autonomisë vendore (neni 13).

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese (nr. 18/2003; apo vendimi nr. 26/2006), shprehen qartazi se Parlamenti i Shqipërisë nuk mund kurrsesi të hetojë një pushtet të pavarur si pushteti lokal",- tha ajo.

Në cilësinë e Drejtoreshës së Drejtorisë Juridike të Bashkisë së Tiranës, pasi ka shqyrtuar me kujdes të gjitha dispozitat ligjore dhe kushtetuese, Vishkos i rezulton se Komisioni Hetimor është i jashtëligjshëm, ndaj nuk mund të prodhojë asnjë pasojë ligjore.

"Në të njëjtën kohë, i kam propozuar sot Kryetarit të Bashkisë, t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese (si garantuese e respektimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë), për ta shpallur antikushtetues këtë komision hetimor dhe shfuqizuar këtë vendim, si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe njëkohësisht për të marrë masën e pezullimit të zbatimit të tij, deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese", - tha ajo.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›