E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amendimi i demokratëve, afatet në dorë të Qeverisë

Autori i Lajmit: red.
Mazhoranca ka dorëzuar pak ditë më parë në Kuvend një amendim për ndryshime të tjera në ligjin “Për Legalizimet”, duke iu shmangur vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Duke parë se vendimi i Kushtetueses i dhënë më 2 shkurt sillte bllokimin e procesit të mëtejshëm të legalizimit të zonave informale, deputetët kanë paraqitur ndryshimin, duke synuar zhbllokimin e situatës. Propozimi i bërë nga Ardian Kollozi, Parid Teferiçi, Arenca Trashani, Gjovalin Prenga, Flori Bajramaj dhe Ramiz Çobaj synon që, nëse shkelen afatet nga bashkitë dhe komunat, ALUIZNI ia merr kompetencat sërish, por kësaj here me anë të afateve që do t i vendosë Këshilli i Ministrave. “Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës apo këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e tyre. Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, - thuhet në amendimin e 6 deputetëve. Gjithashtu, propozohet që nisma të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar pikërisht nenin 10 të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Në të theksohej se “në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI, në përputhje me pikën 4, të nenit 4 të këtij ligji, merr përsipër ushtrimin e këtyre përgjegjësive”. Nismëtarët në relacionin shpjegues bëjnë të ditur se “synohet rregullimi i këtij defekti në përmbajtje të ligjit ekzistues, pasi Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dhe disa pika të nenit 4”. Në relacionin shpjegues theksohet se synohet ndreqja e një pasaktësie në referimin e përcaktuar nga një dispozitë te një tjetër e ligjit. Sipas deputetëve firmëtarë, nisma e propozuar nuk ka efekte financiare dhe është në përputhje me Kushtetutën. Brenda kësaj jave pritet që komisionet përkatëse të nisin shqyrtimet për këto ndryshime. Ligji i Legalizimeve ka qenë përherë objekt i debateve mes mazhorancës dhe opozitës. Marrja e kompetencave të Pushtetit Vendor ka qenë pjesë e një konflikti të ashpër ndërmjet demokratëve dhe socialistëve, gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në muajin prill. Përplasja më e madhe ka qenë edhe me ish-pronarët, të cilët kërkojnë që legalizimi i banesave informale të zgjidhej me vetë ato për trojet e tyre të zëna. Vetë shoqata “Pronësi me Drejtësisë” ankimoi ligjin për Legalizimet në Gjykatën Kushtetuese. Ish-pronarët e kanë cilësuar zgjidhjen e ofruar nga ana e qeverisë si antikushtetuese dhe kërkonin që vlera e truallit që do të kompensohej të ishte sipas çmimit të tregut, ku banori që legalizohej të derdhte shumën te subjektet e shpronësuara dhe jo në arkën e shtetit.
Ndryshimi
Neni 10
Si ishte
“Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI, në përputhje me pikën 4, të nenit 4 të këtij ligji, merr përsipër të ushtrimin e këtyre përgjegjësive”.

Si bëhet
“Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e tyre. Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Propozuesit e amendimit
Ardian Kollozi
Parid Teferiçi
Arenca Trashani
Gjovalin Prenga
Flori Bajramaj
Ramiz Çobaj
Ky lajm është publikuar: 03/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›