E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri shqiptar u shpreh gjatë një takimi me drejtues të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, se investimet e huaja janë të mirëpritura në Shqipëri, veçanërisht në shfrytëzimin e potencialeve parësore të vendit, si në energji, turizëm, pasuri minerale, në modernizimin e infrastrukturës. Deklarata u bë gjatë një takimi me drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), Avni Mustafa, i cili shoqërohej në takim nga drejtori Financiar i Këshillit, David Skoton. Berisha, duke i uruar mirëseardhjen zotit Mustafa, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira shqiptaro-amerikane në të gjitha fushat. Berisha i njohu drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me rezultatet konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Kryeministri theksoi se puna e qeverisë është fokusuar tashmë në intensifikimin e përpjekjeve dhe reformave për të përshpejtuar plotësimin e të gjitha standardeve që kërkojnë hapat e mëtejshëm të integrimit evropian të vendit. Nga ana e tij, Mustafa u shpreh i impresionuar nga reformat dhe zhvillimet në Shqipëri dhe inkurajoi shefin e ekzekutivit dhe qeverinë shqiptare në këtë drejtim. Ai vlerësoi lart vizitën e fundit të Kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimet e zhvilluara atje me personalitete të larta amerikane, duke e konsideruar këtë vizitë si shprehje të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve. Mustafa tha se vizita e Kryeministrit në SHBA u pasua nga një jehonë pozitiviteti dhe vlerësimi të lartë për lidershipin shqiptar dhe arritjet e qeverisë shqiptare në reformimin e vendit, si një vlerësim për proceset integruese të Shqipërisë dhe rikonfirmim i mbështetjes së plotë të SHBA në këtë drejtim. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht atij ekonomik, në të ardhmen, mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Ky lajm është publikuar: 03/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›