E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi mund të marrë edhe mandatin tjetër qeverisës

Autori i Lajmit: Plarent Shehu & Suela Topi
Procesi i legalizimeve të zonave informale në të gjithë vendin ka marrë ditët e fundit një tjetër domethënie për mazhorancën qeverisëse, duke parë se kjo reformë ka qenë edhe një nga premtimet e Partisë Demokratike në fushatën elektorale të 2005-ës dhe se për zbatimin e saj kjo parti do të përballet me elektorartin në muajt prill dhe maj të fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit. Duke parë se ligji për “Legalizimet” është rrëzuar në disa nene të tij në Gjykatën Kushtetuese, një grup deutetësh demokratë ka dorëzuar në Parlament një ndryshim në nenin e afateve kohore të zbatimit, pasi sipas ligjit në fuqi, këto afate që dikur i ka pasur ALUIZN-i kanë përfunduar dhe tashmë kërkohet nga ata që t i kalojnë Këshillit të Ministrave. Një nga nismëtarët e këtij ndryshimi dhe po ashtu hartues i ligjit për Legalizimet”, deputeti i Vlorës, Ardi Kollozi, në një intevistë për gazetën “Ballkan” ka sqaruar këtë ndryshim si dhe nëse do të përfundojnë legalizimet dhe zbatimi i këtij ligji përpara mbarimit të mandatit aktual të mazhorancës. Kollozi është shprehur i sigurt se, për sa i përket ndryshimit ai do t i shërbeje tërësisht ndryshimeve që ka kërkuar Gjykata Kushtetuese si dhe plotësimit të afateve kohore për zbatimin në kohë të ligjit. Për sa i përket përfundimit të legalizimeve brenda këtij mandati mazhoritar, ai ka thënë se pjesa më e madhe do të përfundojë para 28 qershorit, por nga ana teknike aplikimi dhe pajisja me certifikata do të mund të marrë edhe nga mandati tjetër qeverisës. Kollozi ndër të tjera theksoi se “këtë javë do të jepen certifikatat e para të pronësisë. Procesi i legalizimeve po ecën brenda afateve të parashikuara, është një proces i mirëstudiuar. Unë nga formacionet që kam nga të gjitha zyrat rajonale të legalizimeve është duke punuar me intensitet, ka një koordinim shumë të mirë të punës në bashkërendim me zyrat qendrore dhe vendore të regjistrimit të pasurive. Institucionet janë vënë në shërbim të këtij procesi dhe unë jam i sigurt për suksesin e plotë të tij. Për ndryshimin në ligj për afatet kohore që i kalojnë Këshillit të Ministrave do të kalojë së shpejti në Parlament. Do të votohet në Parlament. Nuk është një ndryshim rrënjësor, por i domosdoshëm dhe ka ardhur nga një mospërputhje ligjore në afatet që u referohet ligji pas ndryshimeve që janë bërë në Gjykatën Kushtetuese dhe ka të bëjë vetëm me afatet, nuk cenohet absolutisht ligji. Ndërsa përfundimi i procesit do të thoja se, pjesa më e rëndësishme, fakti që ky është një proces i konsoliduar, tashmë i mirorganizuar dhe i futur në një rrugë pa kthim prapa, ka për të qenë absolutisht i qartë për çdo shqiptar të interesuar. Nëse nga zbatimi i këtij procesi do të ngelet një pjesë për arsye kohe apo teknike mundësish kapacitetesh pa u zbatuar mund të kryhet edhe mandatin tjetër. Ajo që është më e rëndësishme është që shqiptarët duke filluar që nga kjo javë do të kenë të mundur të vërtetojnë faktin se legalizimi i zonave informale është një proces tashmë në zbatim e sipër”, - përfundoi deputeti i Vlorës, Kollozi.
Ky lajm është publikuar: 03/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›