E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo në Ksamil: “Qeveria përdori dy standarde për legalizimet”



Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka zhvilluar një tur takimesh në fshatrat e Rrethit të Sarandës me strukturat, anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokracia Sociale. Milo ka vizituar fshatrat Konispol, Markat, Ksamil, Borsh dhe fshatin Bajkaj të Rrethit të Delvinës, ku është takuar me banorët e kësaj zone. Ata i kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për vështirësitë ekonomike në rritje, për shtrenjtimin e punimit të tokave, të rritjes së çmimeve për plehrat kimike dhe për mungesën e mbështetjes nga ana e qeverisë për përballimin e përkeqësimit të gjendjes së tyre ekonomike. Në mënyrë të veçantë, kryetari i PDS-së u ndal e bisedoi gjatë me banorët e qytezës së Ksamilit, të cilët shprehën indinjatën e tyre për prishjen selektive mbi bazë bindjesh politike të ndërtesave të mjaft njerëzve që janë në proces legalizimi nga ana e autoriteteve qendrore në Tiranë. Milo shprehu mbështetjen për shqetësimin e banorëve. “Ju nuk jeni këtu në tokë të huaj, ju jeni në vendin tuaj. Shumë prej jush kanë lindur dhe janë rritur këtu. Me të drejtën legjitime të qytetarit të Ksamilit, ju keni të drejtë të ndërtoni jetën tuaj në këtë vend. Qëndroni se jeni në të drejtën tuaj. Në procesin e legalizimit nuk mund të ketë dy standarde, një standard për Bathoren dhe një standard tjetër për Ksamilin. Një standard që ndërtimet e Bathores i legalizon, i ligjëron dhe një standard të dytë që ndërtimet në Ksamil i quan të paligjshme, që u vë rruspën, i shkatërron, sikur ju të mos jeni shqiptarë, sikur ju të keni ardhur këtu nga ndonjë planet tjetër”, - tha Milo.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›