Zgjedhjet, ndryshohen vulat në tre KQV
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se baza materiale është shpërndarë në të gjithë vendin, në të gjitha KZAZ-të, gjithsej 66 të tilla përpara 3 ditëve. Në orët e para të ditës së djeshme ka nisur shpërndarja e materialeve drejt KQV-ve. Ndërsa bëhet e ditur se materialet janë shpërndarë dhe se në përgjithësi nuk ka pasur probleme. I vetmi problem ka qenë djegia e një pjese të materialeve gjatë transportimit në fshatin Vri të Pukës pasi makina ka marrë flakë. Sipas informacioneve zyrtare mësohet se nuk janë djegur fletët e votimit, por është dëmtuar vetëm kutia, e cila është shtrembëruar nga nxehtësia. KQZ-ja bëri të ditur mbrëmë se materiali i votimit nuk është prishur dhe se është marrë vendimi për të dërguar kutitë e votimit e dëmtuara. Ndërsa paraditen e djeshme KQZ-ja mori vendimin për çështjen e vulës së KZAZ-së numër 32 të Korçës, ku i mungonte qendrës së votimit 3904. Ekspertët ligjorë të KQZ-së informuan për këtë situatë, duke u shprehur se administrata e KQZ-së e ka dorëzuar të rregullt materialin zgjedhor në KZAZ-në nr.32. Kur kjo e fundit ka filluar shpërndarjen drejt qendrave të votimit, KZAZ 32 konstaton mungesën e vulës së QV-së 3904. Në këtë situatë kjo KZAZ kërkon zëvendësimin e vulës së humbur. Vendimi i KQZ-së për këtë çështje do të merret në orët në vazhdim, pasi nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kërkoi sqarime nga anëtarët e KZAZ-së nr. 32 në Qarkun e Korçës për këtë situatë. Gjithashtu, në mbledhjen e sotme KQZ miratoi dhe aktin “për trajnimin e anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave”. Në mbledhjen e orës 22.00, KQZ-ja mori vendimin për të prodhuar dy vula të reja për dy KQV-të në Berat dhe në Fier. KQZ-ja miratoi që të prodhonte vulën e re të kryetarit për KQV-në në 3605m KZAZ numër 4 të Beratit dhe në Fier për KQV-në numër 2907 (për sekretarin). Sipas drejtorit të komisioneve, Alfred Spahiu baza materiale po ecën normalisht, ku përfunduar shpërndarja në Has dhe në Bushat. Ndërsa është marrë vendimi për caktimin e vëzhguesve për LSI dhe Polin e Lirisë ku KZAZ nuk i pranonte. Zgjedhjet administrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe 66 komisione të zonave të administrimit zgjedhor. Në të gjithë vendin janë ngritur 4751 qendra votimi, me rreth 38 mijë komisionerë. Për zgjedhjet e 28 qershorit janë regjistruar rreth 3 milionë e 80 mijë votues, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik. Dokumenti që do të përdoret nga zgjedhësit ditën e votimeve është pasaporta ose letërnjoftimi i ri elektronik. Numërimi i votave do të bëhet në 66 Vendet e Numërimit të Votave (VNV), nga Grupet e Numërimit të Votave (GNV), ku do të përfshihen rreth 3016 komisionerë. Procesi zgjedhor ditën e votimeve do të vëzhgohet nga rreth 5450 vëzhgues vendas dhe të huaj. Kostoja financiare e zgjedhjeve llogaritet në rreth 7.14 milionë euro. Në çdo VNV janë instaluar kamera, që do të monitorojnë procesin e numërimit të votave dhe në total numri i tyre është rreth 380.