E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhjet nuk do kontestohen”

 

Zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë të parat kur humbësit do të urojnë fituesit. Një ditë para zgjedhjeve, ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, shprehet i bindur në një intervistë për “Zërin e Amerikës” mbi arritjen e standardeve. A do jenë zgjedhjet sipas standardeve ndërkombëtare? Mendoni se është një sfidë për anëtaren më të re të NATO-s?
Unë mendoj se Shqipëria do ta kalojë me shumë sukses këtë sfidë dhe siç e dini ju unë jam një optimist gati i pandreqshëm. Kam qenë optimist edhe në zgjedhjet e mëparshme dhe më vjen shumë mirë që Shqipëria e kaloi këtë test dhe arriti këtu ku arriti. Siç e përmendni dhe ju, anëtarësimi në NATO është një fitore e jashtëzakonshme për të gjitha forcat politike dhe gjithë shqiptarët. Unë jam mjaft optimist dhe kam bindje që zgjedhjet do të jenë zgjedhjet e para që nuk do të kontestohen dhe kundërshtarët do të urojnë fituesit dhe të dy së bashku do t’i shtyjnë më tej punët e përparimit të suksesshëm evropian që Shqipëria ka nisur.
Sistemi i ri zgjedhor ka filluar të kritikohet për një sërë pasojash dhe një prej tyre është fakti që dy udhëheqësit kryesorë të PS-së dhe PD-së i kanë shtuar së tepërmi kompetencat e tyre dhe derisa deputetëve të ardhshëm do t’u humbasë pavarësia për shkak të lidhjeve që do të kenë me udhëheqjen. Ata do të bëhen më besnikë ndaj udhëheqësve se sa ndaj elektoratit që i ka zgjedhur. Do të doja komentin tuaj për këtë çështje?
Është një shqetësim i drejtë, por duke pasur parasysh që unë kam qenë në disa vende si vëzhgues ndërkombëtar, unë nuk mendoj se një sistem është prioritar ndaj tjetrit. Me të drejtë ju shtruat shqetësimin se ky sistem që quhet proporcional shton shqetësimin për rritjen e fuqisë së liderit partiak, por nga ana tjetër krijon premisa për një stabilitet politik, kështu që balancojnë njëra-tjetrën. Është një sistemi i ri, unë nuk mendoj që ky sistem në vetvete është një sistem që do të provojë pastërtinë e zgjedhjeve dhe koha do ta provojë. Shqetësimi është i drejtë, por nuk mendoj se duhet mbivlerësuar ky shqetësim. Ky është një sistem që në mënyrë të suksesshme e kanë mjaft vende të tjera dhe si kundërpeshë, si një njeri që i ka parë edhe nga afër këto gjëra, unë mendoj se stabiliteti politik mund të jetë një kompensim shumë i mirë për këtë sistem. Koha do ta provojë.
Nuk duhet harruar që disa nga problemet që kanë shoqëruar proceset e kaluara mund t’i atribuohen edhe mungesës së pjeku-risë politike dhe përvojës së pluralizmit të demokracisë në Shqipëri. Tashmë kanë kaluar 20 vjet, mendoni ju që janë krijuar kushtet që këto probleme të kapërcehen?
Disa nga problemet që kanë pasur zgjedhjet e mëparshme lidhur me mungesën e traditës dhe me faktin që Shqipëria është nga vendet më të terrorizuara nga komunizmi, mendoj që pas 20 vjetësh shqiptarët kanë mësuar, shoqëria shqiptare është shumë më e emancipuar, klasa politike shqiptare është pjekur. Po të vihet re ka ikur ai fanatizmi dhe agresiviteti. Tashmë ti shikon me shumë kënaqësi, që ngjan si një vend i denjë për anëtar të NATO-s, ku kandidatët dalin, shtypi në mënyrë profesionale u jep hapësirë njerëzve për t’u njohur dhe për të parashtruar idetë e tyre dhe unë kam shumë besim se nesër do të jetë prova finale dhe kjo provë do të kapërcehet me sukses dhe këto do të jenë zgjedhjet e para të lira, të pakontestueshme dhe do ta afrojnë Shqipërinë në integrimin evropian dhe më tej.
Flitet gjithashtu për rëndësinë që këto zgjedhje kanë për imazhin e vendit. Çfarë prisni ju që të ndryshojë për qytetarët shqiptarë nga mënyra se si zhvillohen zgjedhjet dhe si do priten?
Çështja e imazhit ka ardhur koha për t’u parë në një mënyrë tjetër. Nuk është thjeshtë çështje imazhi. Demokracia është një sistem që ka nevojë për pjesëmarrjen e njerëzve dhe ne do ta marrim në dorë vetë këtë gjë. Kështu që zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë në radhë të parë në epërsinë e qytetarëve, të klasës politike dhe të gjithëve. Kështu që në këtë aspekt unë mendoj që nëse imazhi është i rëndësishëm, më i rëndësishëm akoma është që të jetë një hap shumë i madh përpara me pjesëmarrjen e të gjithëve, qytetarëve në radhë të parë, por edhe të të gjithë institucioneve, të forcave të rendit, të gjithë atyre që kanë nderin për të ruajtur pastërtinë e zgjedhjeve dhe të gjithë së bashku. Demokracia ka nevojë për një bashkëpunim të gjithanshëm dhe në këtë pikë unë mendoj se kjo provë do të kalohet me sukses.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›