Qeveria, 1 miliard euro për kaskadën e Devollit
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në përurimin e fillimit të punimeve për projektin e kaskadës së lumit Devoll, një investim prej 1 miliard eurosh, i konsideruar si një ndër investimet më të mëdha në fushën e hidroenergjisë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. Projekti për kaskadën e Devollit, një investim me vlerë 1 miliard euro, është fryt i bashkëpunimit ndërmjet kompanisë norvegjeze “Statkraft AS” dhe asaj austriake “EVN AG”. "Ky projekt është një gur i madh themeli në strategjinë time, Shqipëria superfuqi energjitike në rajon", - tha Kryeministri Berisha në ceremoninë e zhvilluar sot në Gostimë, në qarkun e Elbasanit, ku dhe kalon lumi Devoll. I shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, Guvernatori i Landit të Austrisë së Poshtme, Erwin Pröll, z. Berisha e cilësoi fillimin e punimeve në këtë vepër "si një ndër ngjarjet më madhore në historinë e këtij vendi". Z. Berisha vuri në dukje se përveçse një përfitimi të konsiderueshëm në fushën energjitike, kjo vepër do të mundësojë dhe punësimin e mijëra qytetarëve, nga të cilët 5 mijë punëtorë direkt në frontin e punës dhe rreth 3000 të tjerë ndihmës. Duke vlerësuar projektin e realizuar nga dy prej kompanive më prestigjioze në fushën e hidroenergjisë, si një kryevepër të ndërtimit në llojin e vet, Kryeministri siguroi se investime të përmasave të tilla do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë vendore dhe asaj qendrore. "Sot ne hedhim themelet e shndërrimit të këtij vendi në një superfuqi energjitike. Për 170 hidrocentrale të reja janë firmosur kontratat dhe nisin ndërtimin, si dhe 120 të tjera presin të dalin edhe ata në treg. “EVN” dhe “Statkraft” janë të mirëpritura të vazhdojnë interesin e tyre, sepse pas kaskadës së Devollit, është kaskada e Vjosës, kaskada e Osumit, kaskada e Shkumbinit, është Skavica dhe dhjetëra e qindra hidrocentrale të tjera", - u shpreh Kryeministri Berisha. Nga ana e tij, Guvernatori i Landit të Austrisë së Poshtme, Erwin Pröll, u shpreh se kjo ditë shënon një hap të ri dhe një faqe të re në historinë energjitike të Shqipërisë. Ai vlerësoi: “Puna e qeverisë suaj është dëshmia më e mirë për suksesin e Republikës së Shqipërisë”. Zbatimi i këtij projekti do të mundësojë optimizimin e plotë të kaskadës së lumit Devoll përmes tri hidrocentraleve të planifikuara, me një kapacitet të instaluar në rajon prej 320 megavat. Projekti me vlerë rreth 1 miliard euro do të mundësojë prodhimin afërsisht të 1000 Gwh energji të rinovueshme, e cila do të rrisë prodhimin aktual të energjisë elektrike në Shqipëri me rreth 20%.