Zgjedhjet, Berisha takon Menduh Thaçin
TIRANË Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi. Berisha e uroi Thaçin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni dhe vlerësoi qëndrimin konstruktiv dhe pro integrimit euroatlantik që PDSH, por edhe partitë e tjera shqiptare, demonstruan gjatë fushatës elektorale në Maqedoni. Nga ana e tij, Thaçi e falënderoi Kryeministrin edhe për kontributin e rëndësishëm në shërbim të çështjes kombëtare që Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë luajtur dhe vijojnë të dëshmojnë në të gjitha zhvillimet si në Maqedoni, ashtu edhe në rajon. Duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 Majit në Shqipëri, kryeministri Berisha tha se ky ishte një proces transparent, bazuar mbi parimin themelor se vota e lirë e çdo qytetari duhet numëruar.
“Përpjekjet e shumta për bllokimin dhe zvarritjen e procesit kishin për qëllim që të mohohej vullneti i shprehur qartë i 762 qytetarëve të Tiranës, çka është e papranueshme për një sistem demokratik, në themel të të cilit qëndrojnë zgjedhjet e lira, të ndershme e demokratike”, u shpreh kryeministri Berisha.