E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, gati padinë për shpifje ndaj Veliajt



Kryetari i Lëvizjes Socialistë për Integrim, Ilir Meta, bëri të ditur dje se do të padisë kreun e G99-s, Erion Veliaj. I pyetur lidhur me akuzat që Veliaj ka adresuar ndaj tij gjatë ditëve të fundit, Meta tha se do ta marrë përgjigjen e duhur nga prokurori dhe gjykata, në mënyrë që të edukohet dhe të mësojë se çfarë është shteti ligjor. “Për të gjitha ato shpifje ordinere, përgjigjen do ta marrë në prokurori dhe në gjykatë, në mënyrë që të edukohet me shtetin ligjor, që duhet ta respektojnë të gjithë”, - tha Meta. Ndërkohë, Veliaj dje akuzoi sërish Metën për bashkëpunim me mazhorancën duke deklaruar se nuk do t’i bëhet asnjë ftesë kësaj partie për të marrë pjesë në protestën e 15 marsit. “Ka tashmë një vit që zoti Meta nuk është më pjesëtar i opozitës, por është bërë opozita e opozitës dhe kësisoj, ndihmësi i zotit Berisha. Kjo nuk përjashton qytetarët e ndershëm që mund të kenë qenë ose janë anëtarë të LSI-së, sepse çdo qytetar është i mirëpritur”, - tha ai. Ndërsa LSI-ja, nga ana e saj, ka komunikuar zhvillimin e protestave në të gjithë vendin, madje edhe në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›