Olldashi: BB-ja aprovoi politikat tona për ndërtimet pa leje
Banka Botërore ka aprovuar politikat e qeverisë shqiptare ndaj ndërtimeve të paligjshme dhe se asnjëherë nuk është shprehur se prishja e ndërtimeve në Jalë është kërkuar nga BB-ja. Ky është sqarimi që bëri dje qeveria shqiptare përmes ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, z. Sokol Olldashi. Sipas tij, ndërtimet në Jalë janë prishur në zbatim rigoroz të ligjit shqiptar që vepron në territorin e Shqipërisë. Olldashi bëri të qartë se Banka Botërore ka aprovuar politikën e qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në këto zona. Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, reagoi dje mbi deklaratën e drejtoreshës së Bankës Botërore për Shqipërinë, Kamilë Noamah, se Banka Botërore nuk ka përgjegjësi për prishjen e ndërtimeve në Jalë. Sipas Olldashit,12 ndërtimet e prishura në Jalë në prill 2007 ishin të gjitha pa leje, pa dokument pronësie të tokës mbi të cilën ishin ndërtuar këto objekte dhe mbi të gjitha, duke prishur imazhin turistik të kësaj zone. Ai rikujtoi se ligji për procesin e legalizimit nuk funksionon në këto zona, pasi quhen zona turistike. Ministri i Transporteve shpjegoi: "Ajo që kemi thënë, është se BB-ja dhe projekti për zhvillimin e planit të Jugut kanë qenë tërësisht në dijeni të politikës që qeveria ndjek me ndërtimet e paligjshme dhe kanë aprovuar këtë politikë të qeverisë”. Në këtë mënyrë ministri Olldashi hodhi poshtë spekulimet lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje në Jalë, pasi sipas tij, ndërtimet janë prishur në bazë të legjislacionit shqiptar. Kreu i MPPTT-së u shpreh: “Këto ndërtime janë prishur në bazë të ligjit shqiptar, ashtu sikurse janë prishur dhjetëra ndërtime pa leje në Ksamil, Borsh, Lukovë, Orikum, Vlorë, Divjakë, Spille, Golem, Gjiri i Lalëzit, Shëngjin, Velipojë”, - deklaroi Olldashi. Ministri shtoi: "Janë qindra ndërtime të prishura përgjatë bregdetit shqiptar në bazë të ligjit shqiptar, ndërtime të paligjshme dhe forca e këtij ligji ka vepruar kudo me të njëjtin intensitet". Sipas tij, edhe sot, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar është duke prishur ndërtime të paligjshme në parkun kombëtar të Butrintit. "Pjesë të shtypit shqiptar të lidhura me kryetarin e partisë së bashkisë me interesa ndërtimesh apo interesa politike kanë vazhduar sot të rishpërndajnë spekulime në lidhje me prishjen dy vjet më parë të 12 ndërtimeve në Jalë, pjesë e Projektit për Zhvillimin e Bregdetit të Jugut", - u shpreh z. Olldashi. Ai përmendi se "në termat e referencës së projektit, të miratuara nga Banka Botërore dhe qeveria e Shqipërisë në 2004-n, kërkohet vazhdimi i prishjeve të ndërtimeve të paligjshme dhe konsolidimi i veprimit të policisë ndërtimore". Për këtë Olldashi citoi: “Konkretisht në Aide-memoire të tetorit 2004, dërguar ish-zëvendësministrit Artan Lame dhe ish-drejtorit të Policisë Ndërtimore të asaj kohe, Mark Nikolli, thuhet shprehimisht: “Prishja e ndërtimeve të paligjshme duhet të vazhdojë”. Në Aide-memoire të shkurtit 2007 thuhet: “Një fotografim ajror i gjithë zonës bregdetare të Jugut është kontraktuar dhe do të përsëritet çdo katër muaj, për të informuar Policinë e Ndërtimit rreth aktiviteteve ilegale”. “Në të njëjtin Aide-memoire përcaktohet: “Projekti ka furnizuar me pajimet bazë njësitë e qeverisjes vendore dhe Policinë e Ndërtimit për t’i asistuar ato në kryerjen e funksioneve të veta”. Ministri i Transporteve shtoi se "në po këtë Aide-memoire përcaktohet se Njësia e Koordinimit të Projektit është e detyruar që faktet e dala nga fotografimi ajror i zonës t’i vërë në dispozicion të të gjitha institucioneve, përfshirë njësitë e qeverisjes vendore, përfshirë Policinë e Ndërtimit".