PDK-ja vlerëson raportin e DASH-it
PDK-ja vlerësoi dje raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Shqipëri si një ndihmë konkrete që i jepet vendit tonë dhe si një mbështetje për përpjekjet tona për t’i dhënë fund periudhës së tejzgjatur të tranzicionit në Shqipëri dhe modeleve qeverisëse që reflektojnë mentalitetin e vjetër komunist. Në një deklaratë për mediat, PDK-ja i kërkoi qeverisë të ndërmarrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për zgjidhjen e çështjes së pronësisë në Shqipëri, kompensimin e ish-të dënuarve politikë, ndërkohë që kërkoi thellimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Meta: Raporti i DASH-it, e paralajmëruam
Kryetari i LSI-së deklaroi dje se konstatimet e raportit të DASH-it janë paralajmëruar më parë nga kjo parti. Sipas tij, zgjedhjet e 28 qershorit tashmë janë mundësia e shqiptarëve për të hequr nga qeverisja këtë mazhorancë. Ai ftoi të gjithë qytetarët që me rastin e 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të bashkohen në një protestë me moton “Berisha ik”. “Ashtu siç konkludon raporti, ne kemi denoncuar paaftësinë e qeverisë për të realizuar një reformë të plotë e integrale në sistemin e drejtësisë, që rrit pavarësinë e sistemit, që rrit transparencën dhe efikasitetin e tij”, - deklaroi Meta, duke theksuar se LSI-ja ka paralajmëruar shkatërrimin e Kushtetutës, për ligjin për Prokurorinë apo lustracionin.