E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: DASH-i vlerësoi qeverinë për antikorrupsionin



Deputeti demokrat, Aldo Bumçi, bëri dje të ditur në sallën e Parlamentit se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerëson punën e qeverisë në luftën antikorrupsion. Bumçi iu përgjigj akuzave të opozitës gjatë seancës së djeshme për këtë raport, duke u fokusuar sidomos tek vlerësimet e tij mbi punën e qeverisë për luftën antikorrupsion. Gjatë fjalës së tij, zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së u shpreh se arritjet e qeverisë nuk janë nga reforma në letër, por nga rezultatet e luftës antikorrupsion. Referuar disa citimeve të raportit të DASH-it, deputeti i PD-së tha se në këtë drejtim raporti u referohet konkluzioneve pozitive të Transparency International (TI) për luftën kundër korrupsionit nga ana e qeverisë shqiptare. "Siç vë në dukje dhe DASH-i, duke cituar TI-në, Shqipëria nuk i arriti këto rezultate për shkak të reformave në letër, por për shkak të luftës kundër korrupsionit, hetimit dhe ndëshkimit të një numri zyrtarësh të lartë, gjë që ka qenë e paimagjinueshme gjatë qeverisjes socialiste", - u shpreh Bumçi. Më tej, zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së theksoi se nëse bëhet një krahasim mes të dhënave që rezultojnë në raportin e DASH-it për vitin 2008 dhe raporteve të viteve kur qeverisnin socialistët del se sot korrupsioni është luftuar fort. "Ju na akuzoni për korrupsion, por nuk ka pasur periudhë qeverisjeje në Shqipëri kur krimi dhe korrupsioni të jenë luftuar më fort se sot. Nuk ka qeverisje që t'i ketë hequr vetes mbrojtjen e imunitetit dhe të dalë në dritën e diellit, si ka dalë kjo qeveri para shqiptarëve dhe këto janë të vërtetat që ju ndajnë ne", - tha ai.

Ish-ministri i Drejtësisë akuzoi kreun e PS-së, Rama, se ka censuruar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas Bumçit: "Edi Rama përpiqet të fshijë të gjitha këto vlerësime dhe t’ia atribuojë qeverisë probleme, për të cilat ai vetë është përgjegjësi kryesor në botën mediatike shqiptare. Lidhur me komentin që bën për ligjin e lustracionit, dhe njëherë fakton se ai është mister dosja, se me qëndrimin e tij vetëm mbron arkivën familjare të ekzekutimeve dhe varjeve që mbajnë firmat e të afërmve të tij", - theksoi z. Aldo Bumçi.

Paloka: Rama, kontrolle terroriste mbi median

Një tjetër çështje që preket në raport është ajo e lirisë së medias. Në lidhje me këtë çështje, deputeti Edi Paloka akuzoi kreun e opozitës për kontrolle terroriste. “Përderisa në një raport flitet për progres në kuptimin më të thjeshtë, çdo njeri e kupton që ne jemi më përpara sesa kemi qenë”, - tha demokrati Edi Paloka. Ndërsa socialistët nga ana e tyre, referuar këtij raporti, akuzuan mazhorancën se po rrit presionin mbi sistemin e drejtësisë. Deputeti socialist, Marko Bello, ish- ministër Shteti në kohën e qeverisjes së PS-së, tha se ndonëse kolegët e mazhorancës e “lexojnë së prapthi”, raporti shpreh qartë se ligji i dosjeve shkakton konflikt të hapur mes qeverisë dhe sistemit gjyqësor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›