E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, LSI 40 mijë vota para

18/03/2011  Forca e tretë politike në vend çel zyrtarisht fushatën elektorale për të zgjedhurit e qeverisjes vendore

Meta u kërkon qytetarëve: “Me votë, më 8 maj të largojmë tiranin e kryeqytetit”

Lëvizja Socialiste për Integrim çeli në Tiranë fushatën elektorale të 8 majit, proces për të cilin kryetari i saj, Ilir Meta, shprehu bindjen për fitoren e thellë të forcës politike që ai kryeson. Duke folur me gjuhën e shifrave, Meta deklaroi se LSI do të fitojë me një diferencë votash me PS-në me të paktën 40 mijë. Ai tha se zgjedhjet lokale do ti japin fund kryesimit të Bashkisë së Tiranës nga kreu aktual i saj, Edi Rama, duke e shndërruar kryeqytetin nga një qytet gri, i betonizuar, në qytetin e gjelbëruar dhe të lulëzuar. “Më 8 maj ndahemi nga periudha e betonizimit të Tiranës për të nisur faqen e re të historisë së saj, atë të lulëzimit dhe gjelbërimit. Ndaj Tirana më 8 maj voton LSI-në, voton kundër betonizimit”, tha Meta në fjalën e tij. Bindjen e tij për fitoren e forcës politike që përfaqëson, kreu i LSI e bazoi tek kandidatët që do ta përfaqësojnë LSI-në në këto zgjedhje. “Ndihemi krenarë sepse kemi promovuar kandidatët më të mirë për kryetarë bashkie, por edhe për këshillat bashkiakë dhe komunarë, të cilët do të fitojnë me të paktën 40 mijë vota diferencë”, vijoi kreu i LSI-së. Në këtë kontekst, ai zyrtarizoi edhe kandidatët e LSI-së në bashkitë kryesore, siç ishin: për Tiranën Erisa Xhixho, për njësinë bashkiake nr. 5; Genc Sinoimeri në Gjirokastër, Luan Topçiu në Pogradec, Durim Hushi në Elbasan dhe Viktor Tusha në Lezhë. Fjalën e tij Meta e nisi me analizën e punës së bërë deri tani nga kryetari i bashkisë, njëkohësisht kryetar i PS-së, Edi Rama. Ai e ka akuzuar atë jo vetëm për betonizimin e kryeqytetit, gjë që ka vështirësuar jetesën e qytetarëve në të, por edhe si autorin e dhunës së nxitur dhe përdorur kundër qytetarëve në protestën e 21 janarit. “Tirana në këto katër vjet jo vetëm që ska pësuar progres, përkundrazi ka pësuar regres. Ajo në këto 4 vjet është djegur nga kryetari i saj, siç ndodhi edhe më 21 janar. Erdhi koha që buxheti prej dhjetëra 100 milionaeurosh të bazuar në taksat e qytetarëve të kontrollohet dhe të investohet për qytetarët, dhe jo për të investuar manifestime që djegin qytetin; që qytetarët e Tiranës ti japin përgjigjen e merituar atij, që si asnjë kryetari bashkie në botë i solli qytetit të tij të premte të zeza. Prej disa muajsh dita e premte është kthyer në një të premte të zezë për qytetarët e kryeqytetit”, u shpreh kreu i LSI-së. Siç tha ai, 8 maji është koha e distancimit të qytetarëve nga dhuna që kryetari i bashkisë ka sponsorizuar këto kohë jo vetëm në bulevard, por në të gjitha rrugët e kryeqytetit. Meta në fjalën e tij nuk la pa përmendur as ato që kryebashkiaku Rama i ka nënshkruar si veprat e tij, siç është edhe rikthimi i parkut “Rinia” në gjendjen e mëparshme. “E vetmja vepër për të cilën krenohet kryebashkiaku dhe tellallët e tij është heqja e kioskave dhe rikthimit të parkut. Por merita për to është e kryeministrit të atëhershëm”, tha Meta.

Kreu i LSI-së

“Nëse ka ndonjë qytet që qeveriset me tirani nga ai që është zgjedhur, është Tirana. Ndaj erdhi koha që qytetarët e Tiranës të ndahen me tiranin e Tiranës. Erdhi koha që buxheti prej disa qindra milionë euro të kontrollohet dhe të investohet për të zgjidhur problemet e Tiranës dhe jo për të sponsorizuar manifestimet që djegin e shkatërrojnë kryeqytetin tonë”.

Kodi për fushatën

Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore apo veprimtari zgjedhore të subjekteve zgjedhore.

Detajet e mitingut dhe slogani për kryeqytetin

“Tirona, Tirona, Tirona, do të jetë e jona”.

LSI përmes një mitingu madhështor nisi zyrtarisht që nga Pallati i Kongreseve fushatën e saj elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit. Nën thirrjet e mbështetësve dhe të simpatizantëve të kësaj partie “LSI-ja”, fjalën e hapjes e mbajti kryetari i LSI për kryeqytetin, dekan i fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj. Duke folur për zgjedhjet e ardhshme lokale, ai tha se LSI është pro kthimit të Bashkisë së Tiranës në një institucion që u përket të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe jo vetëm një pjese, një kandidaturë e cila do të punojë me përkushtim për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe për të gjitha shtresat. “E natyrisht për një Tiranë e cila duhet ti largohet betonizimit, për një Tiranë e cila duhet të krijojë më shumë hapësira të gjelbra, e cila duhet të rikonceptohet në një pjesë tjetër të saj dhe mbi të gjitha një Tiranë që duhet të drejtohet në ekip”, tha Rrokaj në fjalën e tij. Me radhë pas tij, për rreth një orë kanë mbajtur shkurt fjalimet e tyre edhe përfaqësues të tjerë të LSI-së nëpër degë të republikës, minibashkive etj. siç ishte: Luan Topçiu kandidat për bashkinë e Pogradecit; Luzhiana Abazi, kryetare e njësisë bashkiake nr.6; Ilir Kokona, kreu aktual i minibashkisë nr. 4; ambientalisti Sazan Guri, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Pas referimeve, në miting një grup fëmijësh kanë prezantuar një dialog, përmes së cilës shprehnin zhgënjimin për atë që paraqiste Tirana aktuale. Mitingu u mbyll pas 90 minutash me fjalimin e kreut Meta dhe sloganin e tij “Tirona, Tirona, Tirona, do të jetë e jona”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›