Zgjedhjet, PD zgjeron kryesinë e degës së Tiranës
Synimi i PD-së për një fitore të thellë në qarkun e Tiranës ka sjellë edhe zgjerimin e anëtarësisë së kryesisë së degës më të madhe në vend, duke përfshirë në të edhe emra zëvendësministrash. Janë 32 të zgjedhur të rinj nga konferenca e Tiranës, të cilët kanë misionin e rëndësishëm që të hyjnë në fushatën elektorale, me synimin e qartë që më 29 qershor, Tirana të gdhihet e gjitha blu. Kjo kryesi e sapozgjedhur në mbledhjen e saj të parë do të zgjedhë dhe dy nënkryetarët e PD-së së Tiranës, ndërkohë që kryesia e madhe do të emërojë sekretarin e Përgjithshëm të degës. Stafi i ri i kryesisë së re do të jetë pikërisht ai, që do të përgatisë terrenin politik të fitores së 28 qershorit për një rezultat shumë herë më të thellë se ai i 3 korrikut të 2005-s. Një zgjedhje e re që respekton edhe kuotën e 30-përqindëshit të grave, ku nga 32 anëtarët e listës, 14 janë vetëm femra, ndërsa pjesa tjetër i takon shifrës prej 12 anëtarësh burra dhe 20 anëtarë të tjerë nga komunat dhe bashkitë e kryeqytetit. Në listën e kryesisë së re të PD-së së Tiranës bien në sy qeveritarët: Marjeta Zaçe, Edith Harxhi, Taulant Bino apo këshilltarët e Kryeministrit Berisha, Zana Guxholli, Juela Meçani, Gjergj Lezhja, Albana Vokshi, Myqerem Tafaj etj. Por mes tyre figurojnë edhe qëndrestarët Shaban Memia, Veli Rada apo Arta Sakja, Albert Avdyli, Lajla Përnaska, Natasha Shehu, apo drejtorët si Gjergj Bojaxhi, Arben Qirjako dhe Arjana Bekteshi. PD-ja mblodhi në datën 18 maj konferencën e degës kryesore në vend, atë të Tiranës, e cila votoi me 509 vota pasardhësin e Sokol Olldashit, z. Aldo Bumçi. Afro 800 delegatë zgjodhën edhe kryesinë e re prej 32 anëtarësh, e cila pritet të konstituohet shumë shpejt. Anëtarësia e kryesisë së re do të zbresë në bazë me takimet elektorale në çdo cep të Tiranës, për fitoren e 28 qershorit, ndërkohë që kryetari i ri, Aldo Bumçi, shpalli dhe platformën qeverisëse të demokratëve të kryeqytetit përgjatë mandatit të tij 4-vjeçar. Nga ana tjetër, lideri i PD-së, Sali Berisha, paralajmëroi një fitore të thellë në Tiranë ditën e zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi sipas tij, e djathta ka alternativa konkrete për përmirësimin e jetesës qytetare, ku në thelb të saj është zhvillimi dhe jo mashtrimi që servir kryetari i PS-së dhe kryebashkiaku Edi Rama.
Kryesia e re e degës së Tiranës
1. Aldo Bumçi
2. Shaban Memia
3. Myqerem Tafaj
4. Juela Meçani
5. Veli Rada
6. Gjergj Lezhja
7. Arben Qirjako
8. Klejti Kruja
9. Albert Avdyli
10. Zana Guxholli
11. Marjeta Zaçe
12. Edith Harxhi
13. Albana Vokshi
14. Lajla Përnaska
15. Natasha Shehu
16. Taulant Bino
17. Arta Sakja
18. Arjana Bekteshi
19. Ferdinand Shehu
20. Gjergj Bojaxhi etj.