Rama: Do të fitojmë 72 deri në 75 deputetë
Konferenca / Kreu socialist ka prezantuar dje një pjesë të ekipit të kandidatëve për deputetë
"Fatos Nano i ka kthyer kurrizin PS-së dhe listat e deputetëve nuk janë lista që bëjnë vlerësime historike"
TIRANË- Në një dalje të posaçme për mediat, kreu socialist, i shoqëruar edhe nga një pjesë e mirë e grupit të kandidatëve për deputetë, me të cilët selia rozë do të garojë në zgjedhjet e ardhshme, ka zbardhur për median dhe nëpërmjet saj, për opinionin publik, procedurat dhe kriteret që u ndoqën prej kësaj force në hartimin e listave shumemërore.
Duke e konsideruar tërësinë e kandidatëve për deputetë si ekipin fitues, që do të ndryshojë Shqipërinë, Rama është shprehur se në përzgjedhjen e emrave është mbajtur parasysh gërshetimi i përvojës me të renë, i profesioneve dhe gjinive.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur edhe pozicionin e vet pas 28 qershorit, duke konfirmuar, kësaj here hapur, se do të lërë postin e kryetarit të bashkisë menjëherë sapo qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë t'i japin besimin për të qeverisur vendin.
Rama ka sulmuar hapur edhe paraardhësin e vet, të cilin e konsideroi si një element negativ që po punon kundër suksesit të së PS-së në zgjedhjet e qershorit.
"Fokusi ynë tek cilësia e Parlamentit të ardhshëm ka diktuar edhe zgjedhjet tona, duke i bërë llogaritë për spektrin e përfaqësimit të PS-së në Parlament, bazuar në një numër 72-75 deputetë dhe, mbi këtë numër, ne do të kemi një grup parlamentar me 20% gra", - u shpreh Rama gjatë këtij prezantimi.
A besoni se do të jetë disi i disavantazhuar grupi i ri parlamentar i socialistëve, teksa kryetarin e partisë mund të mos e ketë në Parlament?
Është një mundësi për të dhënë një përgjigje jo ezauruese, se do vazhdojë të bëhet si pyetje. Dua të theksoj se unë jam shumë krenar, që, sot, PS-ja prezanton në listën e saj më të madhe, që është lista e kryeqytetit, si numrin 1, një zonjë, që është përfaqësuese e shoqërisë civile.
Por, unë do ta përkufizoja vetëm kaq, është përfaqësuese e qytetarisë së re shqiptare, një qytetarie aktive, e cila edhe falë këtij angazhimi tonë dhe të saj (Vasilika Hysi), do të ketë gjithmonë e më shumë pjesë në këtë politikë të re, që sot është politika jonë e re, por që me siguri nesër do të jetë politika e re edhe e të tjerëve.
Unë jam në një kontratë me popullin e kryeqytetit, kontratë që unë dëshiroj ta vë përpara qytetarëve të Tiranës, duke pritur që ata ta vendosin, nëse unë duhet të jem siç unë mendoj e siç ne mendojmë, njeriu që duhet të drejtojë vendin, për t'i sjellë edhe Tiranës një shpejtësi të re transformuese e për t'u dhënë qytetarëve të Tiranës pa dallim, të gjitha ato të mira që një qeverisje e mirë mund të sjellë dhe që për fat të keq ata nuk i kanë, për shkak të keqqeverisjes.
E, nga ana tjetër, për të krijuar një sinergji si asnjëherë më parë mes qeverisë kombëtare dhe qeverisë vendore të Tiranës në të mirë të qytetarëve të Tiranës.
Unë jam këtu për ta bërë këtë në krye të këtij ekipi. Për ta bërë këtë si një qytetar, që, insistoj, nuk jam politikan. Jam këtu për një mision që unë e ndjej si misionin tim, e të cilin janë qytetarët e Tiranës apo gjithë Shqipërisë, që e zgjasin apo e shkurtojnë.
Nuk dua që nesër në Parlamentin e Shqipërisë të ketë karrige bosh, për të cilat njerëzit kanë votuar e në të cilat nuk duken për javë e muaj me radhë as Kryeministri, e as ministrat.
Por, dua që, nesër, në atë karrige që, për shkak të angazhimeve të mia si Kryeministër do të mbetej bosh, të jetë gjithmonë dikush që përfaqëson qytetarët e qytetaret, që trajton çështjet e tyre, dhe që u jep rrugë problemeve të tyre, duke bërë ligje të mira.
Unë do të jem një Kryeministër i një lloji të ri dhe do ta bëj detyrën time në një mënyrë krejt të re, me njerëzit dhe për njerëzit, jo me fjalë, por me prani, aty ku njerëzit jetojnë, aty ku problemet vazhdojnë të trashëgohen dhe kërkojnë zgjidhje dhe aty ku unë besoj se do të lindë Shqipëria e re, për të cilën të gjithë ne jemi të angazhuar nga përfshirja e njerëzve në procesin qeverisës. Për sa i përket çështjes për zbritjen në fushën e betejës, unë jam në fushën e betejës.
Nuk shikoj asnjë kundërshti mes vazhdimit të një detyre, për të cilën qytetarët e qytetaret e Tiranës me kanë ngarkuar dhe çuarjes përpara të një misioni që, së bashku me këta burra e gra këtu dhe me të tjerë që s'janë këtu, kemi vendosur ta bëjmë një mision të të gjithëve për një Shqipëri që të ketë më në fund një shtet të të gjithëve.
Si e shpjegoni faktin që në listat e PS-së nuk është përfshirë as emri i ish-Presidentit Mejdani dhe as emri i ish-kryetarit Nano? Dhe, së dyti, a do të jepni dorëheqjen në rast se populli do t'ju votëbesonte për Kryeministër?
Unë, pa asnjë dyshim, jam këtu në këtë sfidë për të udhëhequr këtë skuadër fituese dhe për të marrë mandatin e Kryeministrit për të qeverisur Shqipërinë dhe Tiranën bashkë me gjithë Shqipërinë, në bashkëpunim me kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, i cili do të jetë kryetari i bashkisë që ne do t'i propozojmë kryeqytetit. Mos harroni edhe një element tjetër.
Në rast se unë do të ndërprisja në mënyrë unilaterale kontratën me qytetarët e qytetaret e Tiranës për të futur emrin tim në listën për deputet, e përsëris, për të lënë bosh nesër një vend për shkak të detyrimeve si Kryeministër, do të duhej që Tirana të zhvillonte zgjedhje, po tani dhe në po atë ditë, plus minus disa ditë.
Kjo do të ishte e padrejtë dhe krejt e panevojshme për qytetarët e Tiranës, dhe në aspektin e specifikës që ka ky proces, dhe në domosdoshmërinë që zgjedhjet në Tiranë të marrin hapësirën e vëmendjes që meritojnë dhe që qytetarët e qytetaret të mos kenë mbivendosje në trajtimin e problematikës zgjedhore dhe në gjykimin e forcave që sot janë në terren për qeverinë kombëtare dhe nuk janë në terren për Bashkinë e Tiranës, pavarësisht se, për fat të keq, në mungesë argumentesh dhe në një krizë e një alternativë qeverisëse tanimë të provuar, shumica aktuale është e para në historinë e demokracisë që zhvillon një fushatë për zgjedhje kombëtare, duke u marrë me probleme të natyrës lokale.
Për sa i përket pyetjes tjetër, Fatos Nano i ka kthyer kurrizin PS-së dhe listat e deputetëve nuk janë lista që bëjnë vlerësime historike, por janë lista që përfaqësojnë skuadra që angazhohen për të ardhmen.
Është vërtet për të ardhur keq dhe unë jam shumë i keqardhur që Fatos Nano është i vetmi ish-kryetar i një partie, që bën thirrje për të mos votuar partinë e tij. Por, ky është problemi i tij, projekti ynë i ri politik është një projekt që zhvillohet mbi bazën e garancive për të ardhmen dhe jo vlerësimeve për të shkuarën.
Do të jetë ekzekutivi "Rama" i ndarë nga legjislativi?
Kjo do të jetë e harmonizuar. Është hapi i parë i një reforme që unë e gjykoj si të nevojshme për vendin tonë, për t'i dhënë Parlamentit rolin e Parlamentit dhe ekzekutivit rolin e ekzekutivit, por është një reformë që do të kërkojë disa hapa.
Unë po bëj hapin e parë; një Kryeministër që përfaqëson në Parlament ekzekutivin dhe që nuk lë për asnjë sekondë bosh karrigen e përfaqësuesit të popullit në Parlament, e, ndërkohë, nuk lë për asnjë sekondë bosh vendin e tij pranë njerëzve në realitetet shumë të vështira të Shqipërisë së sotme, ku ne do të çojmë qeverinë.
Ne do ta çojmë qeverinë te njerëzit në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Vendimet tona do të jenë vendime që do të merren me qytetarët e këtij vendi. Vetëm kështu do ta transformojmë politikën dhe qeverisjen në Shqipëri. Vetëm kështu mund të kemi ligje të mira dhe vendime të drejta.
Në lista ka disa emra që janë humbës në zgjedhjet e 2005-ës, ndërkohë që dhe Ylli Bufi është jashtë liste. Çfarë kriteresh janë harmonizuar në këto përzgjedhje dhe sa mund të garantojnë fitoren këta kandidatë që kanë humbur në 2005-ën?
Sigurisht që mund të shikohet problemi dhe nga kjo anë, por besoj se është këndvështrim i gabuar. Në ekipet tona kemi njerëz që garantojnë një skuadër me eksperiencë dhe me energji të reja.
Ky është kriteri bazë. Mbi këtë kriter ne pastaj kemi ngritur ekipe që garantojnë një përfaqësim sa më të harmonizuar të komuniteteve në të gjithë territorin dhe të interesave të këtyre komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit.
Nuk ka pasur në këndvështrimin tonë një kriter kualifikues apo shkualifikues, bazuar në rezultate individuale në gara të mëparshme. Sigurisht ka patur një vëmendje për të vlerësuar performancën e gjithsecilit, kudo.
Nëse nuk i keni votat e nevojshme, do të bashkoheni pas zgjedhjeve me LSI-në?
Ne nuk jemi këtu për të hedhur fall. Ne jemi këtu për të thënë, kemi një program të ri, kemi një skuadër të re, kemi një vizion të ri dhe zgjidhje të reja për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Për të gjitha këto arsye ne besojmë se, jo vetëm kemi ofertën më të mirë, por edhe se shumica e shqiptarëve e shohin ofertën tonë si më të mirën, gjë që do na çojë në qeverisjen e vendit me një shumicë, e cila që do ketë të gjitha mundësitë për t'i bërë realitet angazhimet e marra.
Si e shpjegoni faktin që ish-Presidenti Mejdani nuk është në listat e PS-së, ndërkohë që pak ditë më parë ishit në krah të tij?
Pa asnjë dyshim Presidenti Mejdani gëzon respektin tim më të lartë. Por lejomëni t'ju them se nga njëra anë, në Evropën ku ne duam të integrohemi, krerët e shtetit kanë vend në senat dhe jo në dhomën e ulët të përfaqësimit.
Ne nuk e kemi senatin, në rast se do të kishim senat, pa asnjë dyshim Presidenti Mejdani do të ishte një senator i nderuar. Nga ana tjetër, ju siguroj se kontributi i Presidentit Mejdani dhe marrëdhënia e tij me PS-në dhe PS-ja me të, dhe marrëdhënia mes meje e tij, nuk janë të kondicionuara nga listat e deputetëve.
Për Nanon
"Fatos Nano i ka kthyer kurrizin PS-së dhe listat e deputetëve nuk janë lista që bëjnë vlerësime historike, por janë lista që përfaqësojnë skuadra që angazhohen për të ardhmen.
Është vërtet për të ardhur keq dhe unë jam shumë i keqardhur që Fatos Nano është i vetmi ish-kryetar i një partie, që bën thirrje për të mos votuar partinë e tij. Por, ky është problemi i tij, projekti ynë i ri politik është një projekt që zhvillohet mbi bazën e garancive për të ardhmen dhe jo vlerësimeve për të shkuarën"
Për Bashkinë
"Unë, pa asnjë dyshim, jam këtu në këtë sfidë për të udhëhequr këtë skuadër fituese dhe për të marrë mandatin e Kryeministrit për të qeverisur Shqipërinë dhe Tiranën, bashkë me gjithë Shqipërinë, në bashkëpunim me kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, i cili do të jetë kryetari i bashkisë që ne do t'i propozojmë kryeqytetit"
Për Meidanin
"Pa asnjë dyshim Presidenti Mejdani gëzon respektin tim më të lartë. Por lejomëni t'ju them se, nga njëra anë, në Evropën ku ne duam të integrohemi, krerët e shtetit kanë vend në senat dhe jo në dhomën e ulët të përfaqësimit.
Ne nuk e kemi senatin, në rast se do të kishim senat, pa asnjë dyshim Presidenti Mejdani do të ishte një senator i nderuar. Nga ana tjetër, ju siguroj se, kontributi i Presidentit Mejdani dhe marrëdhënia e tij me PS-në dhe PS-ja me të, dhe marrëdhënia mes meje e tij, nuk janë të kondicionuara nga listat e deputetëve"