Barazia gjinore, KQZ kthen sot listat e dy partive të mëdha
PD-ja e PS-ja nuk kanë plotësuar kriterin e renditjes për femrat. KQZ-ja pritet t'u kthejë partive për rregullim disa qarqe
TIRANË- Listat e kandidatëve për deputetë të dy partive të mëdha do të ndryshojnë përsëri.
Shkak është bërë mosplotësimi i ligjit të barazisë gjinore, ose i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, i cili sanksionon detyrimin që, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore, dhe/ose një në tre nga emrat e parë të listës shumemërore, duhet t'i përkasë secilës gjini.
Asnjë prej dy forcave të mëdha politike, PD-ja dhe PS-ja nuk e ka plotësuar këtë kërkesë ligjore, çka pritet të detyrojë sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të mos miratojë listat e tyre dhe të kërkojë edhe një herë rregullimin e tyre, të paktën në ato qarqe ku ekziston ky problem.
Demokratët
Më problematike situata paraqitet në kampin demokrat, ku ky detyrim ligjor është respektuar vetëm në tetë qarqe, ndërsa në 4 të tjerët mbetet për t'u korrigjuar.
Pavarësisht nëse shkelja e ligjit në këtë rast është bërë në mënyrë të qëllimshme apo jo, është fakt që kjo forcë politike nuk e ka zbatuar këtë kriter në katër qarqe dhe më konkretisht në Berat, Dibër, Kukës dhe Gjirokastër.
Në qarkun Berat, PD-ja ka përfshirë në listën e saj vetëm një kandidate femër, dhe ajo e renditur në vendin e 6, pra jo në një nga tre vendet e para. E njëjta situatë paraqitet edhe në Qarkun e Dibrës, ku nga 6 kandidatë është paraqitur vetëm 1 kandidate femër në vendin e parafundit.
Gjithashtu, edhe në zonën e Kukësit, PD-ja ka shkelur ligjin, duke paraqitur 1 kandidate femër të renditur në fund të listës me 4 kandidatë. Në Gjirokastër, PD-ja në listën e saj me 5 kandidatë, ka paraqitur vetëm një femër të renditur në vendin e 4.
Nevoja për këtë rregullim ligjor, pritet të sjellë efekte të drejtpërdrejta në listën fituese të Qarkut të Kukësit, ku për shkak të zhvendosjes së vendeve rrezikon seriozisht fitoren deputeti aktual, Fatos Hoxha.
Ndërsa për tre qarqet e tjera situata pritet të mos sjellë një efekt të drejtpërdrejtë në listat fituese, pasi numri i madh i mandateve i jep mundësi PD-së që të mund të plotësojë këtë kriter pa prekur renditjen e tyre në emrat potencialisht fitues.
Socialistët
Pak më ndryshe paraqitet situata në kampin rozë, ku ky problem është hasur në listat e tre qarqeve veriore, Lezhë, Kukës dhe Shkodër, ku asnjë femër nuk gjendet në tre emrat e parë të tyre dhe në asnjë rast nuk është respektuar 30 për qindëshi.
Në qarkun e Shkodrës, në 11 kandidatë, 3 prej tyre janë kandidate gra dhe asnjëra prej tyre nuk është renditur në treshen e parë.
Ndërsa në Qarkun e Lezhës, ku garohet për 6 mandate, PS-ja ka paraqitur në listën e saj 2 gra, por asnjëra prej tyre në tre vendet e para. E njëjta situatë paraqitet edhe në Qarkun e Kukësit, ku në 4 emra gjendet vetëm një grua dhe ajo vetëm në vendin e fundit.
Por, ndryshe nga rasti i PD-së, plotësimi i këtij detyrimi ligjor nga ana e socialistëve mund të mos sjellë asnjë efekt real në listën e fituese, pasi PS-ja mund ta plotësojë këtë kriter pa prekur asnjë nga vendet potencialisht fituese.
Ndërkohë, në total, PD-ja duket se është treguar më e hapur kundrejt gjinisë femërore, pasi ka paraqitur në listat e saj 3 femra më shumë se PS-ja. Kështu, PD-ja ka në listat e saj 37 gra dhe vajza, ndërsa PS-ja 34.
Megjithatë, ky fakt nuk i bën demokratët më korrektë ndaj ligjit, pasi ajo ka respektuar numrat, por me renditjen që i ka bërë nuk u jep shanse atyre që të fitojnë mandatin e deputetit.
Në këtë drejtim duket se PS-ja është treguar më e hapur, pasi me renditjen që u ka bërë 34 kandidateve të saj në lista, u krijon mundësi më të madhe se PD-ja për të fituar, pasi një numër i konsiderueshëm gjenden në pozita komode në renditje.
Nuk përjashtohet mundësia që një problem i tillë të shfrytëzohet nga kryetarët e partive për të mbajtur të hapura listat edhe për disa ditë.
Ndërkohë që KQZ-ja pritet të marrë sot vendimin për t'i kthyer listat e këtyre qarqeve, përfaqësuesit ligjorë të këtyre dy forcave kanë bërë të ditur për gazetën se do të rregullojnë listat konform ligjit.
Neni 67 i Kodit Zgjedhor
Pika 5. Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore, duhet t'i përkasë secilës gjini.
Pika 6. Mospërmbushja e njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore për zgjedhjet në Kuvend, sjell si rrjedhojë refuzimin e listës nga KQZ-ja.