E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat e deputetëve, PD-PS ndryshime rrënjësore

Nga grupi aktual i deputetëve të PS-së nuk do jenë më 20 deputetë, ndërsa nga PD-ja rreth 27


TIRANË- Kuvendi i ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit pritet të ketë një "fytyrë" krejt të re.


Dy forcat e mëdha politike, që kanë dhe mundësitë më të mëdha për të pasur përfaqësimin më të gjerë në të, kanë bërë një revolucion të thellë në listat e tyre të kandidimit për zgjedhjet e ardhshme, duke përjashtuar nga e drejta për të rikandiduar një numër të konsiderueshëm nga deputetët aktualë.


Kështu, reformë të thellë ka pësuar grupi parlamentar socialist, nga i cili vetëm dy ditë më parë janë përjashtuar nga gara për në Kuvendin e ardhshëm 9 deputetë aktualë, ku bien në sy moskandidimi i Fatos Nanos, Ylli Bufit, Besnik Dervishit, Musa Ulqinit, etj.


Por, moskandimi i tyre, faktikisht, mund të konsiderohet si fundi i spastrimit të grupit socialist nga "xhaketat e vjetra", proces ky që ka nisur që herët në këtë forcë, me përjashtimin e të ashtuquajturve "të gjatëve", që në kundërshtim me vendimin politik të kësaj force votuan pro zgjedhjes së Bamir Topit si President i Republikës, dy vjet më parë.


Më pas, ky katarsis vazhdoi me vetëlargimin prej saj të deputetëve Petro Koçi dhe Luan Memushi, të cilët preferuan të rreshtohen përkrah forcave të tjera politike.


Në total, duke përfshirë të përjashtuarit, të larguarit, të moskandiduarit apo të kandiduarit formalë, grupit të ardhshëm socialist do t'i mungojnë plot 20 deputetë nga ata të zgjedhur në vitin 2005. Vetëm 23 prej tyre mundën që të rikonfirmohen në listat potencialisht fituese të PS-së


PD


Partia Demokratike, po ashtu, ka bërë ndryshime radikale në grupin e saj parlamentar. Në listën e të përjashtuarve, shumë prej tyre kanë qenë kritikë ndaj Berishës, ndërsa në listën e re, më të favorizuarit janë të bindurit e lidershipit të PD-së.


Nga grupi aktual parlamentar, 17 deputetë nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve, ndërsa 10 deputetë të tjerë rrezikojnë të mos futen në Kuvendin e ardhshëm, për shkak të renditjes aspak të favorshme. Në listën zyrtare bie në sy përjashtimi i anëtarit të kryesisë, Aleksandër Biberaj, apo ai i Këshillit Kombëtar, Preç Zogaj.


Besnik Mustafaj është një tjetër figurë e PD-së, i papërfshire në listën e kandidatëve për deputetë, i cili i parapriu me dorëheqjen e tij nga politika për katër vitet e ardhshme. Në listën e të përjashtuarve janë edhe deputetë të vjetër të Kuvendit si, Pal Dajçi, Rexhep Uka, Blerim Çela apo Sali Shehu.


Por, krahas deputetëve aktualë, vihet re edhe një distancim i disa figurave, që janë sot në administratën shtetërore, për të cilët, Berisha u angazhua mjaft katër vite më parë.


I pari është Arben Imami, i cili për nga përgatitja apo dhe kontributi, nuk mund të krahasohet me kryetarin e emëruar të FRPD-së, Gerti Bogdani, i cili renditet i gjashti në listën e deputetëve të PD-së për Tiranën.


Bogdani lë pas jo vetëm Imamin, por Gjergji Bojaxhiun, Florian Mimën, Ilir Rusmalin, Myqerem Tafajin, të cilët me sa duket nuk gëzojnë kriterin kryesor për t'u renditur ndër të parët, atë të bindjes dhe mbrojtjes së familjes së Kryeministrit Berisha me çdo kusht.


E njëjta situatë duket edhe me qarqet e tjerë të vendit, siç është renditja në vend të parë e Ferdinand Xhaferrit në Qarkun e Durrësit, të cilin Berisha e mënjanoi kur donte të zgjidhte Igli Carën për kryetar të PD-së së Durrësit, por e risolli sërish, për të mos vënë në krye të listës, kryetarin e grupit të punës për këtë qytet, një prej mbështetësve të Topit, Gazmend Oketa.


Deputetët që mbeten jashtë

Aleksandër Biberaj
Preç Zogaj
Besnik Mustafaj
Rexhep Uka
Pal Dajçi
Sali Shehu
Ylli Pango
Gezim Krapici
Engjëll Cara
Blerim Çela
Rahim Kaleci
Genc Juka
Eris Hoxha
Safet Sula
Shkëlqim Ziri
Mehmet Hoxha
Baki Shehu


Deputetët që rrezikojnë për shkak të renditjes

Sami Gjergji (Dha dje dorëheqjen)
Fatos Beja
Bujar Leskaj
Fatos Hoxha
Ndriçim Babasi
Gjovalin Prenga
Alfred Gega
Idriz Xhomara
Ramiz Cobaj
Aurel Bylykbashi


Nuk u kandiduan nga PS-ja
Fatos Nano
Ylli Bufi
Besnik Dervishi
Musa Ulqini
Stefan Çipa
Rapush Tola
Elmaz Sherifi
Pilo Kerri
Raimonda Stefa
Luan Memushi

Rrezikojnë për shkak të renditjes
Ndriçim Hysa
Pirro Lutaj

Janë larguar ose përjashtuar
Petro Koçi
Paulin Sterkaj
Bukurosh Stafa
Tauland Dedja
Durim Lamaj
Durim Hushi
Hamit Kosta

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›