E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelja e afatit, PBKD: Rama, rrezik për demokracinë



Ballistët e Artur Roshit akuzojnë PS-në për shkelje të ligjit, duke shtyrë afatin e dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë. Sipas kryetarit të PBKD-së, kjo është një shkelje e rëndë ligjore, mosrespektimi i afatit të dorëzimit të listave të kandidatëve nga PS-ja, e cila vë në dyshim seriozitetin e trajtimit të institucioneve nga ana e saj. Kryetari i kësaj partie, Artur Roshi, deklaroi se "PS-ja tregoi se ajo është rrezik për demokracinë dhe demokracia është liri dhe institucione, por tek liria demokratike nuk hyn liria për shkeljen e institucioneve". "Në muajt e fundit kemi vërejtur që PS ka akuzuar mazhorancën për mundësinë e rrezikimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por dje ajo tregoi se kërcënimi real për një proces zgjedhor demokratik është vetë ajo", - tha Roshi. Sipas tij, "KQZ nuk duhet t’i kishte pranuar listat e PS, 12 orë pas afatit". Kreu i PBKD-së, Artur Roshi, u shpreh se "PS i vuri shkelmin organit më të lartë të zgjedhjeve, KQZ-së, duke mos respektuar vendimin e tij dhe njëkohësisht i dha një grusht të fortë demokracisë", duke sqaruar se "kemi bindjen se votuesi shqiptar ka fituar maturinë për t’u dhënë përgjigjen e duhur partive që nuk tregojnë respekt për vlerat demokratike".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›