Lista e PD-së, rebelohen të përjashtuarit
Sami Gjergji jep dorëheqjen nga lista, Preç Zogaj nuk pranoi të garonte përveçse në Lezhë, ndërsa Biberaj shprehet se lista ka frymë klienteliste dhe klanore
TIRANË- Preç Zogaj dhe Aleksandër Biberaj janë ndër të paktët njerëz me kontribute në Partinë Demokratike. Ndaj dhe përjashtimi i tyre nga lista e kandidatëve për deputetë, ka sjellë pakënaqësi të madhe nga vetë ata.
Të pakënaqur janë edhe përfaqësues të tjerë të PD-së, si Sami Gjergji, i cili edhe pse figuron në listë, ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi, për shkak të mungesës së vlerësimit që i është bërë, duke e renditur në vendet jo fituese të Qarkut të Durrësit.
Zogaj&Biberaj
Preç Zogaj është zgjedhur dy herë në Lezhe si deputet i këtij qyteti. Për shkak të lidhjeve të ngushta me këtë qytet, Zogaj nuk ka pranuar të jetë kandidat për deputet në ndonjë qark tjetër, duke e cilësuar të padrejtë zgjedhjen e Berishës.
"E kam refuzuar këtë zgjedhje të Kryetarit të PD-së, Sali Berisha, si një zgjedhje e paarsyeshme që injoron lidhjet e mia të fuqishme njerëzore, shpirtërore dhe politike me Lezhën, si dhe kontributin tim si deputet i zgjedhur i PD-së në Lezhë,"- tha Zogaj.
Megjithatë, nisur nga eksperiencat e mëparshme, Zogaj nuk flet për një ndarje përfundimtare me Kryetarin e PD-së, Sali Berisha. "Historia ime me Berishën kështu është, herë ndahemi e herë bashkohemi.
Është cituar edhe njëherë nga goja e tij, që ushtarët e vjetër nuk vdesin kurrë dhe unë jam tipik një nga ata ushtarët e vjetër",- shtoi ai. Ndërsa deputeti tjetër i Tropojës, Aleksandër Biberaj, i cili nuk do jetë më si kandidat për deputet, ka akuzuar strukturat zyrtare të kësaj partie për mungesë transparence në përgatitjen e listave.
"Procesit i ka munguar totalisht transparenca, nuk është marrë mendimi i bazës, nuk janë respektuar forumet e Partisë Demokratike dhe statuti i PD-së.
Mendoj se lista ka një frymë të theksuar klienteliste dhe klanore, pasi, me sa duket, lidershipi i PD-së është kujdesur më shumë për të mbajtur nën kontroll grupin dhe partinë pas zgjedhjeve, si do që të jetë rezultati, se sa për të pasur një listë përfaqësuese dhe dinjitoze, në mënyrë që të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit.
Unë uroj që të mos ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, gjithsesi mendoj se ajo do e këtë ndikimin e vet",- tha Biberaj, i cili shtoi se nuk do të largohet nga PD-ja, por citon se do të qëndrojë brenda saj për ta reformuar.
Gjergji
Ndërsa deputeti demokrat i Durrësit, Sami Gjergji, ka vendosur t'i thotë jo zgjedhjes së Berishës për ta renditur atë në një pozicion jo fitues në listën e re të kandidatëve për deputetë.
"Duke parë zhvillimet më të fundit politike, por edhe garimet brenda radhëve të PD-së, ku nuk jam ndier i vlerësuar, pasi kontributi im në këtë parti ka qenë në shkallën më të lartë, deklaroj se kam marrë vendimin për t'u larguar nga kjo garë politike.
Të jesh apo jo pjesë e Parlamentit të Shqipërisë, është bërë pjesë e debateve politike, por ajo që sot kërkohet është vlera e vërtetë, ose kontributi real, por kur kjo nuk vlerësohet apo anashkalohet, arrihet deri në dorëheqje",- u shpreh Gjergji.