E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PS-PD: Nuk ka kohë për reformë qarqesh

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë në një mendje edhe përsa i takon reformës territoriale. 

Aristir Lumezi

Dy nënkryetarët e parlamentit, demokrati Fatos Beja dhe socialisti Ylli Bufi u shprehën dje gjatë një tryeze me ekspertë se zgjedhjet e vitit 2009 detyrimisht do të zhvillohen mbi këtë ndarje administrative, siç e përcakton dhe Kushtetuta e re në bazë qarku. Dy përfaqësuesit e lartë të parlamentit dhe të partive, shfrytëzuan tryezën e Forumit për Demokraci dhe Etikë dhe Institutit për Demokraci dhe Reforma, me temë “Ndryshimet Kushtetuese, Kodi zgjedhor dhe Ndarja e re administrative”, për të përsëritur edhe një herë se mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese dhe sistemit proporcional rajonal, rajoni në zgjedhjet e ardhshme do të identifikohet me 12 qarqet aktuale. Por në të njëjtin qëndrim nuk ishin ekspertët zgjedhorë, të cilët kërkuan vullnet politik nga partitë që ndarjen administrative ta bënin në funksion të një procesi që do t’i shërbente më shumë zgjedhësve dhe jo partive politike. Ish-kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi shprehu shqetësimin se reforma territoriale do të realizohet menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2009, por jo me kritere teknike të administrimit të territorit dhe realizimit të shërbimeve, por përsëri mbi bazën e interesave elektorale të partive politike. “Pas zgjedhjeve të 2009 rezultati i tyre do të kërkojë ndarjen territoriale, të cilën do ta përcaktojë interesi elektoral dhe asgjë nga ato ç’u thanë deri tani”, tha Celibashi.            
PD-PS
Nënkryetari demokrat i Kuvendit, Fatos Beja u shpreh se reforma zgjedhore nuk duhet identifikuar me reformën administrative dhe kërkoi që në një ndarje të re administrative duhet shkuar më vonë pasi të jetë bërë një studim fizibiliteti mbi organizimin e pushtetit vendor. Beja mbështeti sistemin e ri proporcional rajonal i cili automatikisht imponon identifikimin e rajonit zgjedhor me qarqet aktuale. Ndërsa nënkryetari socialist i Kuvendit, Ylli Bufi mbështeti idenë e Fatos Bejës se sistemi zgjedhor i jep peshë rajonit të identifikuar në qarqet aktuale, shkoi edhe më tutje. Duke shprehur mendimin e tij, anëtari i kryesisë socialiste hodhi idenë e një qarku më të madh se ai aktuali. “Duhet të rritet territori i qarkut, qarku duhet të identifikohet me krahinën”, u shpreh Bufi duke sjellë si shembull krahinat e Labërisë, Myzeqesë etj. Edhe sekretari Ligjor në PS, Fatmir Xhafaj u shpreh se “aktualisht jemi të vonuar për një reformë territoriale, pasi sot nuk mund të bëhet fjalë për një reformë territoriale në nivel rajoni por vetëm në nivel komune”.
Ndërsa anëtari i KQZ-së, Fatmir Kumbaro i kërkoi partive politike të gjejnë vullnet politik për të bërë ndarjen territoriale para zgjedhjeve dhe nëse është e nevojshme të ndërhyhet në Kushtetutë.

regjistri i zgjedhesve, brenda 2008

Brenda muajit tetor 2008 shërbimi i gjendjes civile do të jetë në një shërbim on line. Këtë gjë e tha dje gjatë tryezës zv.ministri i Brendshëm Ferdinand Pone, i cili u shpreh se sapo ka mbaruar regjistri kompjuterik i gjendjes civile dhe brenda muajit tetor do të kemi shërbimin e Gjendjes Civile on line.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›